Katër kryetarë komunash në garë zgjedhore

31.05.2017 13:11:45

Janë zgjedhur për të qenë në shërbim të qytetarëve, por janë vënë tërësisht në shërbim të partive të veta politike. Kandidimi i katër kryetarëve të komunave për deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit është njëra prej temave që po kalon në heshtje këto ditë. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, janë bërë pjesë e tre listave zgjedhore, për të rritur numrin e votave të koalicioneve.

Përfaqësues të shumtë të shoqërisë civile e kanë konsideruar këtë kandidim një manipulim të figurave politike me elektoratin. Mirëpo, kjo çështje nuk është vetëm një shkelje etike, por edhe një çështje e trajtuar në Kushtetutën e Kosovës.

Neni 72 i Kushtetutës sqaron papajtueshmërinë e pozitave, duke thënë se një deputet nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv, ndërkohë që neni pasardhës 73 sqaron pamundësinë e kandidimit, duke radhitur një mori detyrash nga të cilat duhet hequr dorë para kandidimit.

Ky nen përfshin pamundësinë e kandidimit për gjyqtarët dhe prokurorët, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e Doganave të Kosovës, pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, udhëheqësit e agjencive të pavarura, përfaqësuesit diplomatikë, si dhe kryetarët dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërsa, pika tre e këtij neni, thotë se kryetarët dhe zyrtarët e tjerë, të cilët mbajnë përgjegjësi ekzekutive në nivel komune, nuk mund të zgjidhen si deputetë të Kuvendit pa hequr dorë paraprakisht nga detyra e tyre. Praktikën e heqjes dorë nga mandati e nisi Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2014, kur pasi morën mandatin e deputetit, Liburn Aliu dhe Dardan Sejdiu, dhanë dorëheqje për t’u kthyer sërish në administratën e Komunës së Prishtinës.

Sipas nenit 5 të Kushtetutës, mandati i deputetit fillon nga momenti i certifikimit të mandatit, që do të thotë se katër kryetarët e komunave që po kandidojnë në listat e kandidatëve për deputetë në këto zgjedhje do të duhet të marrin vendim për të hequr dorë nga komuna ose parlamenti. Por, në të dy rastet, kjo mund të interpretohet si një mashtrim ndaj elektoratit.

Nëse vendosin të kthehen në komunë, duke ia transferuar mandatin një kandidati tjetër të të njëjtës listë i bie që kanë tradhtuar votuesit për parlament. Ndërsa, nëse zgjedhin të bëhen deputetë dhe braktisin drejtimin e komunës, i bie që kanë tradhtuar mbështetjen që kanë marrë nga votuesit lokalë për të përmbushur besimin e dhënë deri në fund të mandatit.