Hoti zhvilloi bisedë telefonike me kryetarin e Grupit Parlamentar të CDU-së, Johann David Wadephul

15.06.2020 17:47:33

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me kryetarin e Grupit Parlamentar të CDU-së, Johann David Wadephul, me të cilin biseduan rreth aktualitetit politik në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimin ndërshtetëror Kosovë-Gjermani, si dhe përkushtimet institucionale të Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane.

“Duke vlerësuar lart bashkëpunimin ndërshtetëror Kosovë-Gjermani, si dhe rolin që ka treguar Republika e Gjermanisë në mbështetje të zhvillimit të gjithmbarshëm të shtetit të Kosovës, kryeministri Hoti e falënderoi z. Wadephul, duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për miqësinë por edhe ndihmën që Gjermania ka treguar ndaj vendit tonë”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit.

Po ashtu, kryeministri Hoti theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes shtetërore gjermane, derisa e njoftoi Wadephul për prioritetet qeverisëse, me theks, përballjen me pandeminë COVID-19, masat për fuqizimin e ekonomisë, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe procese të tjera me rëndësi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të CDU-së, Johann David Wadephul në emër të parlamentarëve gjermanë, rikonfirmoi mbështetjen e tyre për Kosovën.