Veseli: Diaspora s’është fajtore për paaftësinë e menaxhimit të pandemisë, fluturimet të lejohen Diaspora s’është fajtore për paaftësinë e menaxhimit të pandemisë, fluturimet të lejohen

15.06.2020 17:38:17

Moslejimi i fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës ka nxitur reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, i cili një gjë të tillë e ka quajtur absurde dhe shqetësuese në kohën kur diaspora fillon të kthehet për pushime verore në Kosovë.

Ai thotë se masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore duhet të respektohen, por edhe nevoja e bashkatdhetarëve tanë që të vizitojnë vendin e tyre duhet të jetë prioritet dhe nuk duhet të cenohet.

Veseli me këtë rast u bën thirrje autoriteteve vendimmarrëse që menjëherë t’i krijojnë kushtet që diaspora jonë të gëzojnë të drejtën e ardhjes në Kosovë përmes linjave ajrore.

Postimi i plotë:

Moslejimi i fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës sa është absurd, është po aq edhe shqetësues për diasporën tonë, por edhe për të gjithë ne.

Masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore duhet të respektohen, por edhe nevoja e bashkëatdhetarëve tanë që të vizitojnë vendin e tyre duhet të jetë prioritet dhe nuk duhet e as nuk bën të cenohet nga asnjëri prej nesh.

U bëj thirrje autoriteteve vendimmarrëse që menjëherë të reflektojnë, t’i krijojnë kushtet që diaspora jonë të gëzojnë të drejtën e ardhjes në Kosovë përmes linjave ajrore. Ata vijnë nga vende që e menaxhojnë mirë pandeminë.

Diaspora nuk mund të vuajnë nga paaftësia e menaxhimit të pandemisë, ata nuk janë fajtorët për këtë.