Hoxha:Do ta fuqizojmë sundimin efektiv të vendit

17.01.2017 12:26:49

Në ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare Com-Sult, që po mbahet në Vjenë, me moton “Thirrja e së ardhmes”, ku po merr pjese edhe Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka folur për perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe është përqendruar në një nga kriteret kryesore për integrim- sundimin e ligjit.

“Ashtu siç Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi vlerat e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e pakicave, po ashtu, ato janë vlera të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj duke i promovuar, fuqizuar dhe sendërtuar ato”, theksoi ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha theksoi rëndësinë dhe gatishmerinë e  bashkëpunimi midis BE-së dhe Kosovës me qëllim të forcimit të pavarësinë, paanshmërinë, llogaridhënien dhe efikasitetin e gjyqësorit në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit. Më tej, Ministrja përmendi progresin që ka shënuar Kosova deri më tani në luftën kundër krimit, duke theksuar se kjo luftë është prioritet i Republikës së Kosovës si e vetmja rrugë drejt integrimit në strukturat evropiane.

Ndër të tjera, Ministrja Hoxha theksoi edhe rëndësinë që ka  sundimi efektiv i ligjit për ambientin e të bërit biznes duke krijuar siguri më të madhe juridike për biznese vendore si dhe investitorët e huaj.

Në fund, Ministrja Dhurata Hoxha, ritheksoi gatishmërine e Kosovës dhe popullit të saj për t’u bërë pjesë e BE-së, vlerat dhe parimet e të cilës tashmë janë pjesë e Shtetit dhe shoqërisë kosovare.