Hoxhaj falënderon Francën për mirëkuptimin në rastin Haradinaj

12.01.2017 16:19:06

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka reaguar për lirimin me kusht të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, nga gjykata në Colmar të Francës.

Haradinaj, që u ndal ditë më parë nga autoritetet franceze me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia më 2004, sot u lirua me kusht deri në vendimin e ardhshëm për ekstradim në Serbi apo lirim të plotë të tij.

Hoxhaj tani përmes Facebookut ka falënderuar shtetin francez për ndjeshmërinë e treguar gjatë këtyre ditëve, ndërsa vendimin ndaj Haradinajt e ka quajtur jo të plotë.

“Mirëpres vendimin e gjykatës sot për lirimin me kusht të ish Kryeministrit Ramush Haradinaj megjithëse është jo i plotë. Ne besojmë në pafajësinë e tij. Fletarrestet e Serbisë janë të motivuara politikisht dhe nuk kanë kurrfarë juridiksioni ndaj qytetarëve të Kosovës. Regjimi serb i takon së kaluarës. Njëherësh duhet të falënderoj shtetin e Francës për mirëkuptimin dhe ndjeshmërinë që ka treguar gjatë këtyre ditëve”, ka shkruar ai.