Hoxhaj: Jemi të shqetësuar me armatosjen e Serbisë

08.02.2017 15:58:32

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj në takimin me Komisionin për Punë të Jashtme ku po e informon këtë komision për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas provokimeve të fundit që kanë ardhur nga Serbia në drejtim të Kosovës, shprehu një shqetësim tjetër në lidhje me veprimet e këtij shteti.

Ai u shpreh i shqetësuar në lidhje me rritjen e potencialit ushtarak dhe armatimit të Serbisë, që ka ndodhur kohëve të fundit.

Hoxhaj tha se edhe kryeministri serb Vuçiq në vizitat që ka pasur gjatë muajit janar ka folur për armët dhe aeroplanët që ka blerë shteti serb.

“Shqetëim yni i ri që dua ta ndaj me ju në terma të përgjithshëm është që Serbia po e rrit potencialin e saj ushtarak dhe po armatoset. Vetë Vuçiq në vizitat e tij jashtë Serbisë në janar të këtij viti, flet për armët dhe aeroplanët e rinj që janë blerë nga shteti serb. Pra, bilanci i forcave ushtarake serbe nuk është i njëjtë siç ka qenë para disa muajsh”, ka deklaruar Hoxhaj.