Kapet me 38 kg marijuanë, pranga 28 vjeçarit shqiptar

08.02.2017 15:51:40

Karabinierët e Viterbos në Itali kanë arrestuar një 28 vjeçar shqiptar për trafik të lëndëve narkotike. I arrestuari mësohet se është Daid Rebeshi, klandestin në territorin italian. Në momentin e ndalimit, policia i ka sekuestruar të riut shqiptar një sasi prej 38 kg marijuanë, e cila nëse do të shitej në treg do të kapte vlerën e 380 mijë eurove.

Dyshimet e karabinierëve të zonës, kanë ardhur pasi kanë parë transportimin e një ngarkese të madhe nga një makinë në një tjetër.

Ky fakt ka tërhequr vëmendjen e policisë, e cila ka sekuestruar të dyja automjetet e përfshira në aktivitetin e paligjshëm. Pas arrestimit 28 vjeçari është dërguar në burgun lokal të qarkut.