Hoxhaj: Taksa 10% ishte ideja ime origjinale, ajo 100% u propozua nga Kadri Veseli

27.12.2018 23:20:34

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë taksa prej 10% ka qenë propozim i tij origjinal dhe për këtë gjë mund të pyetet kryeministri Haradinaj.

Hoxhaj në RTV Dukagjini ka thënë se fushata e Serbisë ndaj Kosovës ishte tmerruese dhe masat ndaj këtij vendi ishin të nevojshme.

“Në ditën kur është vendosur taksa prej 10%, kam pasur një takim me kryeministrin Haradinaj dhe kemi diskutuar për këtë masë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se është i saktë edhe pohimi se ngritja e taksës prej 10% në 100% ishte ide e kryetarit të PDK-së, njëkohësisht kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Zyrtari i PDK-së ka thënë se merren shumë seriozisht edhe kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por vendosja e taksës kishte të bënte me situatën e vështirë që gjendej Kosova përballë fushatës së Serbisë.

“Veprimi ynë ka qenë i domosdoshëm për shkak të situatës ku ndodhej Kosova gjatës vitit 2018. Ne jemi partnerë i vogël por duhet të respektohemi”.

Hoxhaj ka thënë se megjithatë puna e taksës është si puna e shahut dhe tashmë ajo ka dhënë efektet e saja.