Humb jetën piloti i helikopterit që u përplas në kulmin e ndërtesës në New York (Video)

10.06.2019 21:17:31

Piloti i helikopterit që u përplas në kulmin e një ndërtese të lartë në Manhattan të New Yorkut, ka humbur jetën ka konfirmuar policia e këtij qyteti.

Ekipet emergjente i janë përgjigjur incidentit që ndodhi në 787 Senventh Avenue. E pamjet amatore të filmuara me telefon të mençur, shfaqin tymin duke dalë nga kati i 54-të i ndërtesës, derisa policia ka urdhëruar evakuimin për shkaqe sigurie.

Emri i pilotit që ka humbur jetën nuk është zbuluar, e autoritetet kompetente nuk janë deklaruar nëse edhe ndonjë person tjetër ishte në helikopter në ato momente.

Megjithatë ajo çfarë ende nuk dihet është se kush është pronari i helikopterit dhe pse është munduar të zbret në kulmin e kësaj ndërtese, që madje nuk ka as “helipad” pistë për  aterrim.

Dëshmitarët kanë pranuar se kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe më pas një zjarr në maje të ndërtesës. E guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo, ka deklaruar se nuk ka indikacione që përplasja e helikopterit ishte bërë me qëllim.

Gjithashtu raportohet se objekti gjigant nuk ka pësuar dëme të mëdha sa i përket strukturës së çeliktë.