Humbi gruan e 2 fëmijët/ Kryefamiljari vjen me urgjencë nga Greqia: Nuk di si jam!

15.02.2020 15:46:04

Ditën e djeshme, Fatjoni duhej të kishte hapur derën e shtëpisë për të shkuar në shkollë ku vazhdonte klasën e tetë. Mungesa e tij vuri në lëvizje të afërmit e familjes Tola, fqinj në fshatin Ostren të Bulqizës, duke trokitur në familjen e Ylberit. Por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kunata e shtëpisë, ka kërkuar ndihmën e fqinjëve të tjerë, ku pasi kanë hapur derën me forcë, kanë mbetur të shtangur. Rajmonda dhe dy fëmijët e saj, Fatjoni 14-vjeçar dhe Rudina 22 vjeç, e cila këtë shtator do të martohej, ishin të pajetë!

Në mesin e kësaj dhimbje të papërshkrueshme, sytë e shpresës u kthyen nga vajza tjetër e shtëpisë, Merita, 16-vjeçare, e cila kishte shenja jete. Për kryefamiljarin Ylber Tola, i cili ishte në Greqi si emigrant ku bënte punë sezonale vajtje-ardhje, telefonata e djeshme nga të afërmit, do të ishte më tragjikja në jetën e tij. Ai mori jetën se bashkëshortja e dy fëmijët humbën jetën mbi dyshimet se janë asfiskuar nga tymi i sobës me dru me të cilën ngroheshin, ndërsa mrekullisht, Merita e kaloi rrezikun për jetën pas ndihmës mjekësore që mori në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Kthimi në atdhe nuk ishte aspak i lehtë për Ylberin. Do duhet të japë lamtumirën më të hidhur. Thotë se nuk e di më se çfarë ndjen, përveç boshllëkut të pazëvendësueshëm që i lë humbja e njerëzve të zemrës. Megjithatë, atij i mbetet të bëhet i fortë, për vajzën tjetër që ia hodhi kësaj tragjedie, por edhe për vajzën më të madhe, e cila është e martuar.

Mbi të gjitha për 16-vjeçaren, e cila ende nuk e ka mësuar se nëna, motra dhe vëllai i saj i vogël nuk mundën të mbijetojnë brenda të njëjtave mure prej nga ajo doli e gjallë. Me gjithë mallin për fëmijët dhe lodhjen nga puna në një shtet të huaj, nuk ndihet fajtor që ka qëndruar larg familjes, pasi nëse nuk do të kishte punuar në emigrim, siç Ylberi thotë: “asgjë nuk do të kishim bërë”.

Familja ka hapur dyert e mortit, dhe në orën 15:00 do të përcjelljen për në banesën e fundit dy fëmijët dhe nëna. Shpenzimet për ceremoninë mortore do të mbulohen nga Bashkia e Bulqizës, ndërsa për të shprehur ngushëllimet në familjen Tola ishin edhe kryebashkiaku Lefter Alla dhe deputeti i Bulqizës, Halil Jakimi./shqiptarja.com