“Marrëveshjet e arritura sot nuk kanë vlerë juridike, Serbia nuk dëshiron normalizim të raporteve”

15.02.2020 15:44:10

Në Konferencën e Mynihut, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje të interesit mbi hekurudhat dhe autostradat që lidhin dy vendet.

Kosova e Serbia janë pajtuar që t’i hapin rrugët dhe të ndërtojnë rrugë të reja të cilat rrisin mundësinë e bashkëpunimit ekonomik.

Marrëveshje ekonomike këtë të sotshmen e ka konsideruar edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq i cili është shprehur se dëshiron të ketë një marrëveshje midis dy vendeve

Derisa pritet që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, takim ky që është raportuar se ka filluar prapa dyerve të mbyllura, lajmi.net ka kontaktuar me njohësin e çështjeve politike Blerim Burjani për të diskutuar marrëveshjet e arritura sot.

Burjani për lajmi.net është shprehur se marrëveshjet janë teknike dhe komerciale ose edhe tregtare.

Sipas tij, emërtimi i dokumentit të marrëveshjes nuk është emërtim juridik, pra quhet ‘letër interesi’ dhe shmang çdo natyrë juridike të emërtimit.

“Kjo marrëveshje është teknike dhe komerciale apo mund të cilësohet edhe tregtare, kjo nuk paraqet hap politik por hap teknik dhe çarkullim i njerëzve dhe mallrave, normal që ka një rëndësi në vete dhe funksionimin për qëllimet, ajo çka bjen në vëmendjen time është leter interesi që do të thotë se nuk është emertim ligjor normativ por shprehje interesi duke iu shmangë çfarëdo natyre juridiko-ndërkombëtare të emertimit”, tha Burjani për lajmi.net.

Sipas tij, Serbia nuk do të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe sipas tij deri këtu përpjekjet e BE-së dhe SHBA-ve kanë qenë të kota.

“Konsideroj është e kotë marrja me Serbinë për marrëveshje përfundimtare asnjëherë Serbia nuk do të normalizojë raportet, është e kotë deri këtu angazhimin evropian dhe amerikan. Kur t’i shtohet edhe mos-heqja e taksës nga kjo qeveri duke përmend terma abstrakt si reciprociteti atëherë kjo çështje është fund, nuk ka gjë as me këtë qeveri sa i përket normalizimit heret e vonë shkohet në zgjedhje me këtë mentalitet të kësaj qeverie.”, tha Burjani

Në fund ai është shprehur se po t’i shtohet kësaj situate edhe qasja e qeverisë së re mbi dialogun, atëherë bën të kuptohet që as gjatë kësaj qeverie nuk mund të ketë marrëveshje.

Sipas tij, vendi mund të shkojë edhe në zgjedhje të reja në rast se qeveria tregohet shpërfillëse në raport me kërkesat për heqje të taksës dhe reciprocitetit.

“E kam përshtypjen po sikur edhe këtë ndonjë marrëveshje që sjelljet nga ndërmjetësuesit prap dështon të pranojë kjo sjellje pashmangshëm çon në zgjedhje që dikush tjetër apo ndonjë koalicion do t’i ketë votat në kuvend për të aprovuar, ne kemi nevojë për diçka tjetër, jo nga një ekstrem në ekstremin tjetër, askush nuk ka kohë e më së paku qytetarët e rinia të merren me këto parti që funksionojnë me interesa personale e familjare.”, tha Burjani për lajmi.net.

Vlen të theksohet se është raportuar që ka filluar paneli ku pritet të ballafaqohen presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Mbetet të shihet se cilat do të jenë rezultatet e këtyre takimeve dhe çfarë do të prodhojnë këto marrëveshje të arritura sot.