Hyseni:Muajt e ardhshëm mund të prodhojnë situata të palakmueshme

17.01.2017 15:11:37

Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, tha të martën se një periudhë prej tre-katër muajsh të ardhshëm ” do të jenë të ndjeshëm dhe mund të prodhojnë situata të palakmueshme”.

Duke folur në Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë se Kosovës, ministri Hyseni, e cilësoi si provokim të rëndë trenin i cili ditën e shtunë u nis nga Beogradi për në Mitrovicë të veriut.

Ministri Hyseni tha se “operacioni policor për ndalimin e trenit ishte përgatitur më herët dhe nuk është vepruar ad-hoc, ashtu siç është paraqitur.

“Ky është një provokim i radhës që vjen në kontekst të zhvillimeve shumë më të gjëra se sa raporteve Kosovë–Serbi. Në kontekstin global. Mos të harrojmë se kemi një gjendje te kalimit të pushteteve, dhe të gjitha këto mund të kenë krijuar një ambient sipas politikës serbe të përshtatshme, që të provokohet ndonjë incident i përmasave të mëdha në Kosovë në mënyrë që Serbia të fitojë një alibi të qëndrueshme. Unë mendoj se me veprimet tona kemi bërë që Serbisë mos t’i jepet ajo alibi,”, ka thënë Hyseni

Treni që u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës së veriut, ju ndalua hyrja nga autoritetet në Kosovë që e cilësuan si “provokim dhe përpjekje për shkelje të sovranitetit të vendit”.

Autoritetet në Beograd ndërkaq thanë se “e ndaluan trenin” për të mos lejuar, siç thanë, “ gjakderdhjen” duke akuzuar “institucionet e Kosovës për siç thanë, lojë luftërash”.

Operacionin e policisë për ndalimin e trenit e përkrahën ndërkaq edhe anëtarët e komisionit parlamentar nga radhët e opozitës.

Rexhep Selimi, anëtar i këtij Komisioni nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë se përkrahë çdo veprim të policisë që është në mbrojtje të sovranitetit të vendit.

Megjithatë, ai ka kërkuar nga ministri që të informojë se a ka leje dhe licencë një tren tjetër që qarkullon nga Kraleva në Mitrovicën e Veriut.

“Opozita edhe kërkon dhe mbështet operacionet policore kur do herë për të ruajtur sovranitetin e Republikës së Kosovës, madje kërkon që kjo mos të bëhet vetëm një ditë, sikur më 14 janar, por të bëhet për çdo ditë. Por, dua të pyes, pse kjo nuk po ndodh edhe më linjën tjetër Kralevë – Mitrovicë. A është ai tren i licencuar, pasi një tren tjetër vjen në Kosovë”.

Kurse anëtari tjetër nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se qasja me Serbinë duhet të jetë më ndryshme, pasi sipas tij, çështja e trenit është vetëm njëra nga provokimet e Serbisë karshi Kosovës.

“Vitin e kaluar e kemi mbyllur me provokimet e Serbisë dhe këtë vit po e fillojmë me provokime. Treni, muri që ndoshta është një provokim ndoshta edhe më i rëndë se vetë treni. Dhe në ditët në vazhdim do të bindeni se është më i rëndë. Çështja e ndalimit të Ramush Haradinajt me fletë-arrest të Serbisë, po bën një gamë të problemeve, që ne si shtet, dhe ju si ekzekutiv duhet të merreni më seriozisht”, ka theksuar Berisha.

Sidoqoftë, anëtarë të komisionit kanë kërkuar të njoftohen se kush ka dhënë urdhër për ndaljen e trenit. Pavarësisht kësaj, ministri Hyseni, nuk ka dhënë ndonjë përgjigjeje të saktë.