I ashpërsohet dënimi një të akuzuari për pengim të personave zyrtar

31.08.2016 13:15:55

Kolegji i Gjykatës së Apelit, i përbërë në shumicë prej gjyqtarëve të EULEX-it, ka nxjerrë aktgjykimin e datës 4 gusht 2016, në lëndën penale kundër të akuzuarit R.K.

Ankesa e prokurorit të EULEX-it është pranuar në mënyrë të pjesshme ndërsa dënimi është ndryshuar. Kështu nga 6 muaj burgim i kushtëzuar për dy vjet,  i akuzuari R.K është dënuar me dënim me burgim prej një viti, të kushtëzuar për tre vjet.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, i datës 10 dhjetor 2015 është ndryshuar ex officio edhe  lidhur me emërtimin e veprës penale sipas nenit 318 (1) të KPK-së, përkatësisht “Pjesëmarrje në grup në pengimin e personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”. Pjesa tjetër e aktgjykimit është vërtetuar.

Lënda penale në fjalë ka të bëjë me sulmin e datës 26 korrik 2011 ndaj kolonës së automjeteve të Policisë së Kosovës, në rrugën kryesore në mes të Mitrovicës dhe Zubin Potokut. Një grup i personave e kishin bllokuar rrugën me 4 deri në 5 automjete. Grupi në fjalë përbëhej prej 6 deri në 8 persona, ndërsa i akuzuari  në fjalë ishte njëri prej tyre. Gjatë këtyre ndodhive kanë filluar gjuajtjet nga armët kur në mënyrë fatale është plagosur anëtari i njësisë operative speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Kolegji i apelit ka nënvizuar se ndalja e kolonës në barrikadën në fjalë ka qenë kushti thelbësor për vrasjen e policit të ndjerë, si dhe për rrezikimin e policëve të tjerë. Megjithatë, nuk ka pasur prova të cilat e lidhin të akuzuarin  qoftë me personat të cilët kanë gjuajtur me armë mbi kolonë, qoftë me planifikimin e pusisë. Rrethanat faktike të prezantuara nuk kanë qenë të mjaftueshme për të konstatuar se R.K. është dashur ta dijë se pjesëmarrja e tij në bllokimin e rrugës do të rezultojë me gjuajtje nga armët. Sa i përket dënimit, kolegji i apelit ka konstatuar se me qëllim të arritjes së efektit të përgjithshëm parandalues për ndalimin e personave të tjerë nga kryerja e veprave të ngjashme penale, kërkohet një dënim me burgim më të gjatë.