I hapet rruga linjës së Interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, Rama: Lajm i shumëpritur për tregun e përbashkët energjetik

21.04.2020 12:31:53

Është miratuar marrëveshja për njohjen e Operatorit të Transmetimit të Kosovës, një hap i rëndësishëm për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet OST dhe KOSTT për rritjen e sigurisë së sistemit elektro-energjetik, vënien në punë të linjës së interkonjeksionit 400 KV Shqipëri-Kosovë, si edhe zhvillimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje ofron mundësinë e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe krijimin e lehtësirave për tregtarët e energjisë elektrike për të kryer transaksione në kufirin Shqipëri- Kosovë, nxit iniciativat rajonale për bashkimin e tregjeve të energjisë, të cilat parashikohet të sjellin dhe një ulje të çmimeve të energjisë për konsumatorët, duke nxitur njëkohësisht edhe iniciativat e përdorimit të energjisë balancuese, në kuadër të Kodit Evropian të balancimit.

Kryeministri  i Shqipërisë Edi Rama reagoi duke e cilësuar këtë një hap të shumëpritur për tregun e përbashkët energjetik.

“U miratua më në fund marrëveshja e lidhjes se Operatorit të Transmetimit të Kosovës “KOSTT” me Operatoret e Transmetimit të Evropës Kontinentale. Kjo marrëveshje hyn ne fuqi në datën 14 maj 2020!

Ky është një hap i shumëpritur, pasi i hap rrugën së shpejti marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet KOSTT?? dhe OST?? për rritjen e sigurisë së sistemit elektro-energjetik të dy shteteve shqiptare, duke mundësuar vënien në punë të linjës 400kV Shqipëri-Kosovë dhe zhvillimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike”, ka thënë Rama.