I vihet zjarri Shtëpisë së Shëndetit në Veri të Mitrovicës (Foto)

I vihet zjarri Shtëpisë së Shëndetit në Veri të Mitrovicës (Foto)

16.04.2017 09:37:38

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës është thyer dhe më pas i është vënë flaka Shtëpisë së Shëndetit në Lagjen e Minatorëve, në Veri të Mitrovicës

 

Lajmin për këtë akt vandal e ka bërë të ditur nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, përmes një postimi në Facebook.

“Pas tentim vjedhjeje i është futur zjarri objektit ku fatmirësisht ky zjarr është izoluar para se ta përfshij tërë objektin”, ka shkruar Mujka.

Ky kat vjen vetëm disa orë pasi në fshatin Llabjan të komunës së Novobërdës, një serb ka demoluar shkollën e fshatit, ambulancën, xhaminë dhe disa shtëpi private.

Postimi i plotë i Mujkës:

“Komuna e Mitrovicës dënon ashpër thhyerjen dhe zjarrvënien në Shtëpinë e Shëndetit në Kodrën e Minatorëve

Sot në orët e hershme të mëngjesit është thyer objekti i Shtëpisë së Shëndetit në Lagjen e Minatorëve, në pjesën veriore të qytetit. Pas tentim vjedhjeje i është futur zjarri objektit ku fatmirësisht ky zjarr është izoluar para se ta përfshij tërë objektin.

Kjo edhe një herë dëshmon brishtësinë e situatës së sigurisë në lagjet veriore të banuara me shqiptarë. Ky rast duket edhe më i rëndë kur dihet se kohët e fundit në këtë objekt janë bërë përmirësime të dukshme si në shërbime e poashtu edhe në kushtet e punës. Poashtu është evidentuar se shërbime mjekësore gjithnjë e më shpesh kan kërkuar edhe banorët serb të kësaj lagjeje, fakt i cili si duket nuk ka mundur të kapërdihet nga strukturat ilegale.

Pavarsisht çfarëdo sulmi apo pengese gjatë këtij rrugëtimi asgjë nuk do të na ndal që të jemi pran qytetarëve tonë kudo që të jenë dhe duke ju ofruar shëbime sa më cilësore dhe sa ma afër shtëpive të tyre.

I ftojmë organet gjegjëse që sa më shpejt të i identifikojnë dhe dënojnë këta kriminel dhe në të njëjtën kohë t’i shtojnë masat e sigurisë për mbrojtjen e shqiptarëve në Veri që janë pjesa më e rrezikuar dhe e diskriminuar e qytetarëve të Republikës së Kosovës” (sic.), ka shkruar Mujka.