Ibrahimovic: Njerëzit do të shokoheshin po ta dinin dëmtimin tim të vërtetë!

20.11.2017 10:12:45

I rikthyer në fushë në fitoren 4-1 të Manchester United ndaj Newcatle pas një mungese të gjatë, Zlatan Ibrahimovic ka folur për dëmtimin që pësoi në gju në fund të sezonit të kaluar, duke zbuluar se problemi i tij ka qenë më serioz nga sa është raportuar. Sipas tij, njerëzit do të shokoheshin po të kishin informacion të saktë për shkallën e dëmtimit.

“Po ta kuptonin njerëzit dëmtimin tim real, do të shokoheshin që u riktheva kaq shpejt në një ndeshje zyrtare. Mbetet çështja ime personale, ndaj vedosa të mos flas për të. Kam qëndruar jashtë për gjashtë muaj e gjysmë, duke ndjekur me përpikëri protokollin. Sekreti është që kam punuar fort. Ata që kanë qenë pranë meje e kuptojnë më mirë sesi kam punuar për rreth 6 orë në ditë.”

Ibrahimovic shënoi 28 gola për United në të gjitha kompeticionet sezonin e kaluar, ndërsa në muajin gusht zgjati edhe për një vit kontratën me “Djajtë e Kuq”. Verën e ardhshme, 36-vjeçari do të jetë sërish pa kontratë, por ai nuk është aspak i shqetësuar nga ky fakt.

“Jam shumë i lumtur që mund të vrapoj dhe të luaj sërish futboll. Nuk e di se çfarë do të më rezeërvojë e ardhmja, jam në një moshë që mëlejon të bëj atë që dua.”