Identifikohet edhe një propaganduese që nxitë ikjen e kosovarëve për Beograd (Foto)

08.09.2017 20:13:55

Pas shikimit të kamerave në Stacion, është vërejtur se në tri netët e kaluara, një grup prej 15-20 personave të njëjtë kanë qenë këtu duke bërë lëvizje të akorduara ose të çakorduara dhe bëjnë nxitjen e të rinjve për të lëvizur në drejtim të Beogradit.

Stacioni kryesor i autobusëve në Prishtinë i mbushur me njerëz që rrethojnë autobusët e linjës Prishtinë-Beograd ka ngritur shumë dilema për një valë të re emigrimi ilegal për në vendet e BE-së. Për çdo natë, turma njerëzish të mbledhur bashkë,  brohorasin, shprehin shqetësime, mllef e dëshirë për të ikur.

Mirëpo,  e vërteta e kësaj është nxitja që po u bëhet qytetarëve të Kosovës, të lëshojnë shtëpitë dhe të marrin rrugën drejt kufirit Hungari-Serbi me autobusë. Të dhënat  e fundit e kanë dëshmuar të kundërtën, se ikja e qytetarëve është vetëm propagandë e grupeve të caktuara, po që motivojnë kosovarët  të migrojnë nga Kosova për një “jetë të mirë”.

Në stacion të autobusëve ka persona që deklarohen para mediave se kinse po largohen nga Kosova, mirëpo të njëjtit realisht vetëm përhapin propagandë dhe nuk marrin rrugën drejt BE-së. Nuk dihet nëse të njëjtit janë të paguar nga individ apo grupe të caktuara por ata po e luajnë rolin e propaganduesit.

Është i çuditshëm fakti se si një shtetase e Gjermanisë merr mundin dhe del para mediave duke thënë se ka ardhur për ta marr “familjen” e saj dhe për të emigruar bashkë me ta.

Ajo përveç që fyen rënd udhëheqësit e shtetit në një formë bënë edhe propagandë për të dalë kosovarët në BE.

“Edhe ky Thaçi po bënë hajgare. Thaçit i kisha thanë veç një fjalë, qysh nuk po ju vjen marre. Marrë për ta, qysh mos me i ndihmu kërkujt. Thaçi krejt parët po i shfrytëzon vet. Nuk është mirë, po marre. Po është edhe nja, është Isa Mustafa. Edhe ai qashtu. Hajna që nuk ju vjen marre, na me lshu Kosovën e me ikë. Unë jam 24 vjeç, e martuar në Gjermani, atje kam lind, atje jetojë, dokumentet ne kerr i kam, po du me marr familjen. Unë e marr familjen teme.  Përndryshe.. krejt njerëzit që janë këtu, ma mirë me shku me ja kall me plin krejt çka ka qatu mrena Thaçi. Horë e kisha ba” është deklaruar me mllef Linda Fiona Nohr, 24 vjeçare që sipas fotove në profilin e saj facebook, bënë jetë luksoze në Gjermani.

Eshte tentuar të bihet në kontakt me të njëjtën vajzë, për ta pyetur rreth shtyrjes së saj për të dalë në media, mirëpo ajo nuk është përgjigjur duke i bllokuar të gjitha të dhënat në facebook dhe fotografitë.

Jane siguruar disa fotografi të saj ku shihet se ajo bënë jetë luksoze në Gjermani, madje edhe babai i saj me iniciale F.X, jeton në Gjermani, përkatësisht në qytetin Ludwigshafen.

Në këto foto ajo shihet se bënë një jetë me kushte të mira, ligjërisht në Gjermani dhe që disa nga familjarët i jetojnë jashtë Kosovës.

Se qytetarët e Kosovës nuk po ikin nga Kosova siç po raportohet tri netët e fundit të kësaj jave, tregon edhe vet Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Ylber Çitaku.

Ai për masën e qytetarëve të mbledhur në stacion çdo natë,  ka thënë se ka vërejtur që grupe të njerëzve kanë ardhur në stacion duke nxitur njerëzit për të ikur.

“’Sa për informacion, kemi përcjellë kamerat që janë të vendosura në Stacion dhe duke mos përjashtuar grupe të caktuara të të rinjve të cilët, pas shiqimit të kamerave në Stacion, është vërejtur se në tri netët e kaluara, një grup prej 15-20 personave të njëjtë kanë qenë këtu duke bërë lëvizje të akorduara ose të çakorduara dhe bëjnë nxitjen e të rinjve për të lëvizur në drejtim të Beogradit”, ka thënë Çitaku.

Po ashtu, pjesa më e madhe e qytetarëve në stacionin e autobusëve, janë kureshtar të cilët pas bujës së madhe që bëri kjo temë në rrjete sociale, kanë dalë për të parë gjendjen atje.

Vlen te theksohet se në rrjete sociale, shumë shpejt janë shpërndarë fotografi e video nga stacioni ku këto foto kanë paraqitur gjendjen si “ikje masive” e qytetarëve. Kjo ka nxitur reagime të shumta të qytetarët, të rinjtë, mllef e deri të motivimi për të të dalë në vendet e BE-së përmes rrugëve ilegale me autobus.

Të gjitha këto e kanë detyruar menaxhmentin e stacionit të autobusëve që të merr masa.

Ndryshe nga sot, menaxhmenti ka marr vendim për anulimin e të gjitha nisjeve në relacionin Prishtinë-Beograd, me arsyetimin se po bëhen dallavere me bileta dhe zbritje nga autobusi në vende të caktuara.RTK