Ilir Meta me ambasadorët: Presim nga BE të hapë negociatat brenda 6 muajve

18.01.2018 22:32:00

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një pritje për trupin diplomatik në kuadër të vitit të Skënderbeut. Meta u ka bërë thirrje partnerëve europianë të marrin në konsideratë kalendarin e zgjerimit drejt rajonit tonë, ndërsa ka kërkuar nga klasa politike në Shqipëri që të bashkëpunojnë për arritjen e qëllimit të përbashkët të të gjithë shqiptarëve; integrimi në BE.

Meta ka shprehur besimin se në 6 muajt e ardhshëm Bashkimi Europian do të çelë negociatat me Shqipërinë për t’i hapur rrugë anëtarësimit në BE.

Në fjalën e tij Meta foli edhe për çështje që shqetësojnë rajonin, siç ishte edhe vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, ngjarje që kreu i shtetit e cilësoi si atentat ndaj paqes në Kosovë dhe rajon. Meta kërkoi zbardhjen sa më shpejt të kësaj ngjarjeje, me qëllim paralizimin e çdo skenari destabilizues në marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.