Të vritesh për një autogol, arrestohet porositësi i atentatit të mbrojtësit kolumbian

18.01.2018 22:21:29

24 vite më parë, mbrojtësi dhe njëherazi kapiteni i kombëtares kolumbiane të futbollit të asaj kohe, Andres Escobar u ekzekutua vetëm 5 ditë pas kthimit në vendlindjen e tij. E gjitha kjo ndodhi për shkak të një autogoli, që Escobar shënoi në sfidën SHBA-Kolumbi dhe që i kushtoi eliminimin kolumbianëve.

Ngjarja ndodhi në 2 Korrik 1994, në një bar në Medelin dhe mbrojtësi atëherë 27-vjeçar, u qëllua me 3 plumba, që i morën jetën.

Sot, 24 vite pas atentatit, u arrestua Santiago Gallon Henao, një tregtar droge, që është provuar se ka urdhëruar ekzekutimin e kapitenit të Kolumbisë. Ky ishte një lajm mjaft i mirë për familjen e Escobar, që pas 24 vitesh mund të ngushëllohet me vendosjen e drejtësisë.

Autogoli i shënuar në Botëror, ishte i pari për Escobarin, por i kushtoi jetën atij, pasi tregtari i drogës kishte humbur një sasi të madhe parash në baste, për atë sfidë dhe vendosi të hakmerrej duke urdhëruar vrasjen.