Ilir Tolaj thotë se shkatërrimi i barnave pa afat ka qenë politikë dhe kërkesë e ministrit, Ferid Agani

14.05.2018 17:04:17

Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, ka deklaruar se shkatërrimi i barnave me afat të skaduar ka qenë kërkesë eksplicite dhe politikë e ministrit, Ferid Agani.

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Ilir Tolaj e ka dhënë mbrojtjen e tij, në rastin ku ai dhe ish-zyrtarë tjerë të kësaj ministrie, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas Tolajt, politikat e kësaj ministrie i ka përcaktuar ministri dhe njëkohësisht i ka përfaqësuar ato.

“Shkatërrimi i barnave me afat të skaduar ka qenë kërkesë eksplicite dhe politikë e ministrit Ferid Agani”, ka deklaruar i akuzuari Tolaj, i cili tha se kishte punuar si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë nga viti 2007-2010 si dhe nga viti 2010 deri në janar të vitit 2012.

Sipas Tolajt, roli i tij në procesin për asgjësimin e barnave me afat të skaduar ka qenë të sigurojë kushtet për hapjen e procedurës për këtë projekt që ishte e paraparë me Ligjin për Prokurimin Publik të asaj kohe.

Ai tha se një prej obligimeve apo detyrave që ai i ka pasur ka qenë edhe menaxhimi i resurseve të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Për të bërë asgjësimin e barnave me afat të skaduar ne kemi kontaktuar të gjitha kapacitetet ekzistuese në Kosovë që posedojnë furrë larta siç janë KEK, Fabrika e Çimentos në Han të Elezit dhe Ferronikelin, por të gjithë në mënyrë të kulturuar na kanë refuzuar. Kjo ka ndodhur pasi që ata kanë deklaruar se temperatura e tyre nuk është e mjaftueshme për shkatërrim të barnave dhe se nëse barnat hyjnë në furrë larta mund të qesin krejt sistemin jashtë funksionit”, ka deklaruar Tolaj, raporton betimiperdrejtesi.com

Ai tha se para se të iniciohej aktiviteti i prokurimit kishin provuar këto alternativa që këtë aktivitet ta zhvillonin pa kosto, mirëpo sipas tij, kjo kishte qenë e pamundur.

“Alternativa tjetër ishte shkatërrimi i barnave të bëhej në vend ose jashtë vendit, por që alternativa jashtë vendit u hodh poshtë pasi që procedura e kalimit të barnave me afat të skaduar jashtë kufirit ishte e pamundur, andaj na mbeti vetëm alternative vetëm brenda vendit”, ka shtuar Tolaj, gjatë mbrojtjes së tij.

Sipas tij, shkatërrimi i barnave është përcaktuar nga politika e ministrit Agani, mirëpo Tolaj tha se ai si ekspert mjekësor e si sekretar është pajtuar me mendimin se ka ekzistuar domosdoshmëria e shkatërrimit të barnave pa afat.

Ai tha se për shkak të mos shkatërrimit të këtyre barnave më herët si Ministri kishin paguar 100 mijë euro çdo vit që të bënin deponimin e barnave në depon në Mazgit.

Tolaj tha se nga viti 2000 e deri në vitin 2011, ata kishin paguar 1 milion e 200 mijë euro për mbajtjen e atyre barnave në depo.

Mënyra se si ishte përdorur buxheti i Departamentit të Farmacisë të kësaj ministrie për aktivitetin e prokurimit, sipas Tolajt, ishte pas një analize financiare në të cilën kursime nga ky departament kishin qenë 1.1 milion euro, e në fund të vitit 2011, kishin arritur shifrën 4.5 milionë.

“Hapi tjetër ka qenë përgatitja për dosjen për fillimin e aktivitetit të prokurimit, kërkesa për fillim të këtij aktiviteti zyrtarisht është bërë nga Departamenti i Farmacisë sepse ata kanë qenë përgjegjës për barnat. Kurse inicimi i procedurës nga zyrtari kryesor financiar, nga zyrtari i prokurimit dhe zyrtari kryesor administrativ që në këtë rast jam unë sigurohen njëherë se a ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme për këtë aktivitet dhe mjete të vazhdueshme”, ka deklaruar tutje Tolaj.

Në pyetjen e avokatit të tij, Besnik Berisha, se për të iniciuar këtë aktivitet të prokurimit a kanë pasur mjete financiare, Tolaj tha se ka pasur mjete të mjaftueshme.

Ai shtoi se të gjitha kontratat fikse më pas ishin shndërruar në kontrata kornizë për arsye se kanë qenë më të favorshme rreth marrëdhënieve kontraktuale, pasi që ministria, sipas tij, ka pasur përvoja të këqija me kontratat fikse në të kaluarën sepse i ishte dashur të paguante penalti milionëshe me apo pa faj të saj.

Ai tha se për një aktivitet të prokurimit është e nevojshme të bëhet një zotim paraprak, i cili është bërë nga ushtruesi i detyrës i sekretarit, në shumë prej 100,000 mijë euro, e më pas 400,000 mijë janë zotuar nga ai vetë, që do të thotë fillimisht janë zotuar 500 mijë euro.

“Kërkesën për zotim të mjeteve e kanë marrë Departamenti i Farmacisë, i financave dhe i prokurimit të cilët e kanë aprovuar duke e përcaktuar në mënyrë specifike kodin buxhetor prej të cilit duhet të merren këto mjete. Dhe, ky ka qenë kodi buxhetor 713 programi farmaceutik i cili mbulon të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me barna duke përfshirë blerjen, pagesën e transportit dhe pagesën e qëndrimit në depon doganore, pagese e distribuimit nga depoja e ministrisë në institucionet shëndetësore gjegjëse dhe nga ky program kemi paguar edhe shkatërrimin e barnave me afat të skaduar, pasi që ky aktivitet është klasifikuar siç është shërbim”, ka thënë Tolaj.

Tolaj tha se Departamenti i Prokurimit e fillon procedurën e vet meqenëse në momentin e inicimit sipas Ligjit të Prokurimit Publik, përcaktohet që e gjithë procedura bartet në këtë departament dhe nga ai moment e deri te përfundimi i kontratës dhe nënshkrimi i saj është kompetencë e prokurimit.

“Departamenti i Prokurimit ka përzgjedh një kompani vendore për aktivitetin e prokurimit për asgjësimin e barnave me afat të skaduar, por unë nuk kam marrë pjesë në ndonjë komision vlerësues dhe në mënyrë as direkte as indirekte nuk jam përfshirë në përzgjedhjen e këtij operatori fitues”, ka shtuar Tolaj.

Ai ka thënë se programin buxhetor e përcakton natyra e prokurimit, pasi sipas tij, nuk kanë mundur t’i marrin të hollat që janë për trajtim jashtë vendit për të bërë shkatërrim të barnave.

“Te unë vijnë të dhënat se shërbimi i caktuar është kryer nga Departamenti i Financave, pasi që departamentet i përgatisin të dhënat me urdhër pagesën që duhet të aprovohen nga unë si zyrtar kryesor administrativ. Urdhër pagesat është e pamundur që të plotësohen nga ZKA, por ka qenë përgjegjësi e Departamentit të Financave që kanë pas më shumë se 20 punëtorë”, ka thënë Tolaj.

“Para se të procedojë një aktivitetet i prokurimit në Ministrinë e Financave, pagesa duhet të kalojë te zyrtari certifikues, roli i të cilit është të sigurohet se çdo gjë që nga zotimi, hapja e procedurës së prokurimit, procedurat e prokurimit, nënshkrimi i kontratës dhe përmbushja e kontratës si dhe nënshkrimi im janë në harmoni me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Ligjit për Prokurimin Publik. Dhe, në mënyrë specifike Ligji për Menaxhimin e Financave Publike i përcakton këto obligime të zyrtarit certifikues, e në rast se zyrtari certifikues konstaton shkelje ose mos përputhje me normat ligjore lëndën e stopon dhe rastin e dërgon te Ministria e Financave dhe aktiviteti ndërpritet”, , ka shtuar tutje ish-sekretari i MSH-së.

Sipas Tolajt, kompania “KMI” ka qenë përgjegjëse për kryerje të shërbimeve dhe konform ligjit së pari është kërkuar një plan i menaxhimit të kontratës, i cili është dorëzuar nga ana e “KMI” dhe është aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Plani ka inkorporuar se duhet të ketë një komision të Ministrisë për monitorimin e punëve. Ne së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale kemi krijuar planin menaxhues për zgjedhjen e komisionit dhe ky komision mendoj se ka kryer punën në mënyrë optimale. Unë kam pranuar një raport nga kryetarja e komisionit Valentina Haxhijaj, tani më e akuzuara, e ky raport ka qenë përmbledhës ku ka pasur peshën e përveçme dhe atë të përgjithshme të barnave që janë shkatërruar dhe një raport për shkatërrim të barnave në qendrat e mjekësisë familjarë nëpër krejt Kosovës”, ka thënë Tolaj.

Sipas atij raporti, në depon në fshatin Mazgit, Tolaj ka thënë se kishin qenë 353, 940 mijë kg barna për asgjësim.

Tolaj tha se ishte paraqit një sasi e barnave që kishte qenë diametralisht e ndryshme me atë që ka qenë regjistruar në fillim, pasi që kur një ilaç si shembull antibiotiku “amoksicilin” përmban 500 gramë dhe ashtu i shkruhet në ambalazh, aty nuk llogariten edhe përmbajtja e plastikës së kapsulës apo ndonjë përmbajtje plotësuese e tyre, e të cilat sipas tij, nëse maten do të ishin 800 gramë.

Për këtë, Tolaj kishte marrë një peshore digjitale duke bërë demonstrimin për sqarimet që ai i dha lidhur me ilaçet të cilat kur maten peshojnë më shumë se që ju shënohet në ambalazh.

Sipas tij, shuma e cekur në ambalazh dallon kur bëhet matja në peshore e një ilaçi, apo çka do qoftë.

Tolaj pas kësaj tha se një zotim prej mbi 500 mijë euro ishte kryer kur ai s’kishte qenë në ministri fare, por se ajo sipas tij, nuk ishte kontestuar se nuk e kishte bërë ai, por dikush tjetër.

Ai tha se kishte marrë të gjitha veprimet e duhura brenda kompetencave të tij dhe nuk kishte favorizuar asnjëherë askënd në mënyrë direkte apo indirekte.

“Unë konsideroj se me këtë aktivitet nuk i është shkaktuar dëm Ministrisë së Shëndetësisë dhe me këtë punë janë marrë me vite lloj-lloj organizata se qysh me i shkatrru ato barna dhe kur problemi u zhduk lindi problem pse dikush me e bo këtë shkatërrim”, ka thënë në fund Tolaj.

Seanca e ardhshme, e cila u caktua nga ana e gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj do të mbahet më 17 maj 2018 në orën 09:00, ku do të dëgjohen të akuzuarit e mbetur.

Ndërsa, në seancat paraprake kanë dhënë mbrojtjen e tyre të akuzuarit Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha.

I akuzuari Kuqi, gjatë mbrojtjes së tij, ka mohuar t’i ketë shkatërruar dëm Ministrisë së Shëndetësisë.

Kurse, në mbrojtjen e tij, ish-drejtori i Departamentit të Farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë, Bekim Fusha, kishte deklaruar se kërkesa për inicimin e procedurës së tenderimit për asgjësimin e barnave me afat të skaduar, ka qenë nga ministri i atëhershëm, Ferid Agani dhe e ish-sekretarit, Ilir Tolaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të akuzuarit Ilir Tolaj, në cilësinë e Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare. Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë euro. Prokuroria pretendon se të lartpërmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaçi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi po akuzohet po ashtu se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove..

Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arion Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të njëjtit po ashtu obligohen që t’i kthejnë shtetit dëmin e shkaktuar prej 400 mijë eurove.

Sipas prokurorisë, Lleshi dhe Agani, akuzoheshin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për punëtorë të përcaktuara me ligj.