Integrimi në BE, Ditmir Bushati: Viti 2018, vendimtar për Shqipërinë

06.09.2017 16:20:12

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në qeverinë e re do të ketë edhe atë të Integrimit brenda institucionit që drejton. Ai thotë se 2018 do të jetë vendimtar për Shqipërinë, duke qenë se paketat e zgjerimit do të diskutohen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Bushati vlerëson se është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi me opozitën në këtë proces, duke forcuar konsensusin kombëtar.

“Më vjen keq të them se vitet e shkuara është luajtur shumë me datat por elementi kryesor ku duhet të referohemi është ai konvergjent. Mënyra si funksionojnë institucionet tona, mënyrën si reformohet shteti dhe shoqëria shqiptare, situata ekonomike. Këto janë tema që krijojnë presionin e domosdoshëm në shoqëri në mënyrë që qeveritë, vendimmarrësit kryesorë të marrin vendimet e duhura dhe të drejta. Duke qenë se jemi para fillimit të parlamentit të ri, shpresoj shumë që vullneti politik qeveri-opozitë tek ky proces do duhet të demonstrohet me një cilësi më të madhe dhe me një bashkëpunim dhe më të strukturuar se në të kaluarën.

Gjithë aktorët politikë shpresoj të kenë nxjerrë mësimet e duhura. 2018 është viti vendimtar, vetë BE në pranverën e 2018 do diskutojë për paketën e zgjerimit dhe në rast të një vendimmarrje për ne që shpresojmë që do të jetë pozitive për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, periudha 1 vit e gjysmë përpara do jetë vendimtare sepse 2019 do të jetë rinovim institucionesh ne BE. Dhe kur ka rinovim institucionesh dhe mandatesh nuk ka domosdoshmërish një fokus tek ky lloj procesi. Dhe në kuadër të ristrukturimit qeveritar është vendosur që procesi i integrimit europian të kanalizohet brenda një strukture unike duke u përgatitur për fazën e ardhshme, procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Sot për sot kjo lloj retorike restrektive apo këto lloj përkufizimesh për Ballkanin kanë rënë.

BE lëviz ndonëse jo me atë lloj shpejtësie dhe vrull që ne dëshironim të lëvizte. Por e sigurt është se ku ka vullnet për reforma, ku ka vullnet për transformimin është e vështirë të thuhet që BE nuk është përgjigjur. Kishte vullnet për të ecur përpara me statusin e vendit kandidat dhe BE erdhi me përgjigjen përkatëse. Tani është e qartë se topi është në fushën tonë dhe ne nevojitet të forcojmë më tej konsensusin kombëtar dhe dialogun politik në mënyrën që integrimi europian të mos jetë thjesht retorikë por të jetë dhe ai që ne dëshirojmë ta konsiderojmë si projekti ynë i vetëm kombëtar”