Interesim i madh për studimet e doktoratës në UP

11.09.2016 11:06:54

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, e ka shpallur konkursin plotësues apo siç njihet si afati i dytë i regjistrimeve për studentë në vitin e parë të studimeve, si dhe atë të studimeve të doktoratës.

Në mbi 2 mijë vendet e lira sa kanë mbetur nga afati i parë i regjistrimit, kandidatët e interesuar mund të aplikojnë për studime themelore në UP, derisa 94 vende të lira janë shpallur në nivelin e doktoratës në nivel universiteti.

Prorektori për marrëdhënie me jashtë si dhe zëdhënësi i UP-së, Afrim Hoti, ka thënë për KosovaPress se deri më tani në studime themelore, vendet e lira janë shpallur në programet ku nuk kanë arritur të plotësohen në afatin e parë.

Ndërkohë, sa i përket studimeve të doktoraturës, Hoti ka thënë se vende të lira ka në drejtime të caktuara të cilat kanë marrë akreditim, derisa ka shtuar se interesimi i kandidatëve për to është shumë i madh.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” më 5 shtator ka shpallur konkurs në nivelin bachelor dhe atë të doktoratës i cili zgjat deri më 13 shtator 2016.

Në nivelin bachelor, UP ka hapur 2 mijë e 617 vende të lira prej të cilave 1 mijë e 925 të rregullt dhe 692 me korrespodencë.

Ndërsa, në nivelin e doktoratës 94 vende të lira prej të cilave 12 për qind të vendeve të lira janë të rezervuara për komunitetin joshumicë.