Interpoli ka hequr nga ndjekja 18 ish-pjesëtarë të UÇK-së, mbesin edhe dy

29.03.2018 18:06:17

Shefi i delegacionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë Avni Arifi ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme rreth takimit të fundit në Bruksel.

Arifi tha se, “Interpoli ka tërhequr 18 veta ish-pjesëtarë të UÇK-së nga kërkimi, ndërsa vetëm edhe dy kanë mbetur”. Këtë informacion ai e dha pas pyetjes që herën e kaluar i kanë bërë anëtarët e Komisionit, raporton kp

Ndërsa duke folur për takimin e fundit, Arifi tha se kanë shkuar me idenë për implementimin e marrëveshjeve të arritura. Ai tha se pala serbe kur e mori vesh se nuk do të flitet për Asociacionin atëherë me shumë kanë pasur monolog se sa dialog.

Arifi tha se kanë qenë tri ditë të vështira dhe fatkeqësisht nuk ka rezultat.

Kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, tha se derisa është zhvilluar dialogu në Bruksel, ka ndodhur një dialog tjetër paralel mes Thaçit e Vuçiqit. Ajo ka pyetur Arifin nëse ka informata rreth këtij takimi.

Arifi tha se, “në dialogun teknik presidenti e ka përfaqësuesin e tij Ardian Arifin”, por sipas tij, “presidenti ka diskutim me kryeministrin në baza ditore”.

Ndërsa rreth krijimit të Asociacionit, Arifi tha se vendimin e merr Qeveria, derisa i ka vlerësuar legjitime kërkesat e presidentit që të kërkojë formimin e tij.

Për më tepër, Arifi u shpreh se nuk ka dijeni për ndonjë marrëveshje shtesë për drejtësinë përveç marrëveshjes bazë e cila është publike.

Deputeti Visar Ymeri nga GDP tha se pavarësisht ndryshimit të Qeverisë qasja ndaj dialogut po mbetet e njëjtë, derisa deputeti Dukagjin Gorani e ka vlerësuar të pabesueshme të akceptohet që Asociacioni të diskutohet në nivel teknik.

Arifi tha se është e pakuptueshme që dialogu për tema tjera të kushtëzohet me asociacionin. Sipas tij Asociacioni është me shumë politike dhe jo teknike sikurse mund të jetë ura e Ibrit, liria e lëvizjes apo tema tjera.

Deputeti i Nismës Zafir Berisha ka kërkuar tërheqjen e Arifit nga procesi i dialogut, duke përsëritur qëndrimin se ‘ai ka hyrë në mal pa sakicë’.