Protesta e 1 majit në Prizren: Derisa ne jemi në gjendje të vështirë qeveritarët kanë bërë miliona

01.05.2017 17:46:29

Disa punëtorë të mbetur pa punë nga privatizimi, kanë protestuar të hënën në Prizren, duke kërkuar pensione të parakohshme nga mosha 55 vjeçare.

Ndonëse sindikalistët prizrenas ka disa vite që protestojnë me 1 maj, thirrjes së tyre për të protestuar edhe këtë vit, iu përgjigj një numër i vogël i punëtorëve të mbetur pa punë pas privatizimit të ndërmarrjeve të Prizrenit.

Të hënën ata shprehën shqetësimin e tyre se “Privatizimi shkatërroi ekonomikisht Kosovën”, ndërsa kërkuan që të ju paguhen mjetet nga shitjet e ndërmarrjeve ku kanë punuar.

“Deri sa ne jetojmë në varfëri qeveritarët tanë kanë bërë miliona” tha Nuhi Skenderi.

Protestuesit u ankuan se ndërmarrjet janë shitur ndërsa ata nuk i kanë marr mjetet që ju takojnë.

“Po na thonë vazhdimisht bëhet mirë, por e nesërmja po na vjen gjithnjë e më e vështirë. Gjendja jonë po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. ” u tha gazetarëve Skenderi

Gani Rexhaj, tha se në pozitë të vështirë janë punëtorët që janë larguar nga puna pas privatizimit të ndërmarrjeve ndërsa janë në moshën 50 –55 vjeçare, sespe këta e askush nuk i merr më në punë.

“Megjithatë në situatë edhe më të rënd janë të rinj. S’ka asnjë perspektivë për ta në vendin tonë, sepse i shitën për hekur ndërmarrjet që dikur ishin krenaria e ekonomisë së Komunës së Prizrenit”.