Muja: Koalicioni PDK-LDK të prishet sa më shpejt

01.05.2017 18:32:27

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja edhe një herë e ka shprehur kërkesën e tij për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Madje ai ka thënë se qysh nesër liderët e dy partive duhet të ulen dhe ta bëjnë planin e divorcimit politik, duke u hapur rrugën zgjedhjeve.

“Besoj që qysh nesër liderët e të dy partive të ulen dhe të bëjnë planin e divorcimit politik definitiv. Kjo javë duhet të jetë vendimtare dhe mos të humbet kohë tutje dhe të futen në zgjedhje te parakoheshme“, ka thënë deputeti i PDK-së.

Ai e ka akuzuar Qeverinë që nuk ka pasur guxim ta zgjidh problemin e shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi.

“Kjo është një tallje e radhës e qeverisë së Riinvestit dhe facebookut të udhëhequr nga Isa Mustafa. Ky është fajtori kryesor pse jemi në këtë situatë, sepse asnjëherë s’ka shprehur as vullnet individual e as institucional për ta zgjedhur problemin“, është shprehur Muja, për lajmi.net

Sipas tij versioni aktual i Demarkacionit duhet të rrëzohet, pasi deputetët nuk do ta votojnë.

“Ky version i Demarkacionit tanimë është i përfunduar dhe nuk votohet nga asnjë deputet. Prandaj ky version i Demarkacionit definitivisht si jua kam sqaruar edhe më parë duhet të rrëzohet”, ka përfunduar Shaip Muja.

Përndryshe, deputeti i LDK-së, Adem Salihaj ka bërë një popozim që Marrëveshja për Demarkacionin të ratifikohet më një aneks në të cilin thuhet se demarkacioni me Malin e Zi do të rishikohet pas një viti.