Intervistë: Kryetari i Suharekës flet për problemet, investimet dhe premtimin për punësim

18.02.2019 15:20:39

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj në një intervistë për lajmi.net ka treguar për sukseset dhe sfidat gjatë kësaj pjese të mandatit si kryetarë i kësaj Komune.

Bali Muharremaj konsideron se për punën e tij flasin veprat, duke theksuar investimet në infrastrukturë, si dhe hapjen e Zonës Industriale me vlerë prej 2.3 milionë eurosh, pastaj punësimi i 50 personave staf mjekësor.

I pari i Suharekës po ashtu siguruar që do ta realizojë premtimin për themelimin e një ndërmarrje për trajtimin e ujërave të zeza, premtim të cilin e kishte dhënë gjatë fushatës zgjedhore.

Muharremaj ka folur edhe për vërshimet të cilat e kishin përfshinë Komunën e Suharekës në gusht të viti të kaluar, për të cilat ka thënë se humbjet ishin me miliona në shumë sektorë si amvisëri, bujqësi, biznese, infrastrukturë etj.

Ai ka thekson se për këtë Qeveria e Kosovës kishte ndarë 1.1 milion euro të cilat, thotë se i kanë destinuar për renovimin e dëmeve në amvisëri.

Por kompensim të dëmeve nuk kishte në bujqësi dhe biznese, e për këtë Muharremaj thotë se nuk kanë pasur mundësi kompensimi.

Derisa uji i pijshëm vazhdon të jetë problem për qytetarët e Suharekës, të dhënat nga terreni tregojnë se në 12 fshatra të komunës së Suharekës ende nuk kanë rrjet të ujësjellësit.

E për këtë i pari i Suharekës thotë se ky problem vazhdon të jetë preokupim në komunën e tyre, përkundër angazhimit, siç thotë ai, te të gjitha qeverisjeve që kanë qenë deri më tani.

Intervista e plotë:

Lajmi.net: Sipas raporti të institutit GAP, deri në korrik të viti 2018,keni realizuar vetëm 3 premtime nga 20 sa keni premtuar gjatë fushatës?

Muharremaj: Mendoj se nuk jeni të informuar sa duhet dhe saktë. Deri në këtë periudhë thuajse të gjitha premtimet janë përmbushur. Gjatë kësaj periudhe, janë punësuar rreth 50 persona – staf mjekësor. Komuna është ndihmuar edhe nga Caritas Kosova për këtë angazhim. Brenda muajit mars edhe me Ministrinë e Infrastrukturës nënshkruam Momerandum Bashkëpunimi për 2.5 milion euro për rregullimi e infrastrukturës, në Zonën Industriale në Suharekë. Pastaj fillon realizimi i premtimit të mëhershëm për projekt/idenë, Mirëmbajtja e ndërtesave/hapësirave publike ku u bë punësimi i 4 personave.

Më 20 Prill nga ora 9:00 fillon aksioni për largimin e të gjitha mbeturinave përgjatë rrugëve kryesore dhe lokale, shesheve dhe hapësirave publike në të gjithë territorin e Komunës sonë. Në këtë aksion marrin pjesë mbi 7000 qytetarë, nxënës, punëtorë, sportistë, artistë, pjesëtarë të policisë, FSK-së, punëtorë shëndetësor OJQ, Shoqëri civile, kompani private etj.

Mbi  40 biznese të vogla janë përfitues përmes Komunës së Suharekës dhe organizatës “Help”, ku konsiderohet si mundësi e mirë për zhvillimin e bizneseve përmes ADA dhe LDF, 20 fermerë përfitojnë mundësi financiare të zhvillimit të bizneseve të tyre. Komuna e Suharekës po ashtu fiton edhe një donacionin Austriak nga  Motra Johana, pra një automjet të ri në Njësinë e Zjarrfikësve në Therandë 30 vende të reja pune, realizohen  nga bashkëpunimi ynë në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenës Sociale dhe Kompanisë së Eko-Regjionit.

Këto janë vetëm disa nga aktivitetet të cilat shënojnë realizimin e premtimeve. Prandaj e theksoj me kompetence se deri në periudhën e korrik 2018, ka pasur mjaftë dinamikë të realizimit të premtimeve.

Lajmi.net: Keni premtuar sigurimin e vendeve të punës brenda territorit të komunës për çdo të diplomuar në mjekësi. Çfarë ka ndodhur?

Muharremaj: Janë punësuar mbi 50 persona – staf mjekësor. Siç e theksova edhe më lartë  Komuna është ndihmuar edhe nga Caritas Kosova për këtë angazhim dhe ky projekt po vazhdon edhe sivjet, sipas normave dhe ligjeve në fuqi mbi kushtet e nënshkrimit të marrëveshjes. Ne po punojmë atë drejtim që të kemi sigurimin e vendeve të punës brenda territorit të komunës për çdo të diplomuar në mjekësi.

Lajmi.net: Çfarë ka ndodhur me projektin për ndërtimin e rrugëve Qafë – Duhël – Graqevc – Papaz,  Mushtisht – Shtërpcë, Suharekë -Malishevë (Nishor-Bellanicë), Suharekë – Rahovec, si dhe lidhja me autostradën?

Muharremaj: Rrugët Qafë-Duhël- Greiqevc- Papaz ka përfunduar. Rruga Mushtisht – Shtërpc është në proces për vazhdim të punimeve. Rruga Nishor – Bellanic ka përfunduar.  Rruga Suharekë- Rahovec ka përfunduar dhe gjatë kohës në vazhdim do të punojmë edhe për rregullimin e një rruge unazore e cila do ta lidhë autostradën me Zonën Industriale.

Lajmi.net: Keni premtuar themelimin e një ndërmarrje për trajtimin e ujërave të zeza, pse nuk është ndërtuar ende?

Muharremaj: Ne sapo kemi përfunduar vitin e parë të qeverisjes. Unë si kryetar po ju premtoj se do ta kem angazhimin maksimal për realizimin edhe të këtij premtimi. Natyrisht jemi fokusuar të shumë dimensione dhe për realizimin e këtyre premtimeve mendoj se duhet të presim edhe pak.

Lajmi.net: Gjatë fushatës, premtuat ndërtimin e katër çerdheve, në fshatra dhe në qytete, pse nuk janë përfunduar në tërësi këto çerdhe?

Muharremaj: Premtimi për 4 çerdhe ka qenë që brenda mandatit ato të realizohen. Dhe, qysh tash ne i kemi realizuar 3 çerdhe. Në fillim të muajit tetor 2018 është bërë hapja e Çerdhes së fëmijëve në Mushtisht. Në muajin Nëntor realizohet edhe hapja e çerdhes së fëmijëve në fshatin Duhël. Pra dy çerdhe funksionale të cilat janë në funksion të plotë. Çerdhja e tretë po realizohet sivjet. Gjatë muajit Dhjetor të vitit të kaluar  nënshkruam bashkë memorandumin me përfaqësuesit e  Fondacionit “Valon Vataj” që Çerdhen e Qytetit do ta rinovojmë në kuadër të iniciativave të Fondacionit “Valon Vataj”. Pra kështu po realizohen qysh tash 3 çerdhe. Unë shpresoj se premtimin për ndërtimin e  4 çerdheve si numër do ta tejkalojmë, duke ndërtuar edhe të tjera. Kjo është e gjitha fal angazhimit dhe përkushtimit tonë duke qëndruar në shërbim të qytetarëve.

Lajmi.net: Komuna e Suharekës ka vetëm një çerdhe publike dhe ajo në pronë kontestuese, në anën tjetër objekti i çerdhes është tejet i vjetër. Kur pritet të zgjidhet kjo çështje?

Muharremaj: Pra siç ju thash, po e ritheksoj se gjatë vitit të kaluar  nënshkruam bashkë memorandumin me përfaqësuesit e  Fondacionit “Valon Vataj” që çerdhen e qytetit do ta rinovojmë në kuadër të iniciativave të Fondacionit “Valon Vataj”. Nga ky fondacion na është premtuar se do të rinovohet në vlerë prej 100.000 euro në përmirësimin e kushteve  për fëmijët, ku mendoj se do të kenë kushte mjaft të mira për edukimin e tyre.

Lajmi.net: A janë kompensuar të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet që ndodhën në fillim të viti të kaluar. Sa para janë ofruar nga Qeveria e Kosovës?

Muharremaj: Vërshimet të cilat e përfshinë Komunën e Suharekës në Gusht të vitit të kaluar ishin katasrofale për ne. Humbjet ishin me miliona në shumë sektorë si amvisëri, bujqësi, biznese, infrastrukturë etj. Kërkesës tonë Qeveria e Kosovës i është përgjigjur me 1.1 milion euro të cilat i kemi destinuar për renovimin e dëmeve në amvisëri. Më duhet ta falënderoj Qeverinë e Kosovës, Qendrën e Biznesit, Diasporën, subjektet politike pa dallim dhe shumë të tjerë, të cilët ndihmuan në tejkalimin e asaj situate emergjente.

Kompensimi i dëmeve për amvisëri është realizuar nën mbikëqyrjen e komisioneve të cilat kanë qenë në përbërje nga të gjitha subjektet politike, ku mendoj se është bërë një punë e mirë. Dua të shpreh keqardhjen për pamundësinë e kompensimit të dëmeve në bujqësi dhe biznese të cilat kanë qenë shumë të mëdha, por aq kanë mundësitë e ofruara dhe për momentin nuk kemi mundur të bëjmë më tepër.

Lajmi.net: Uji i pijshëm vazhdon të jetë problem për qytetarët e Suharekës, të dhënat nga terreni tregojnë se në 12 fshatra të komunës së Suharekës ende nuk kanë rrjet të ujësjellësit, pse nuk po zgjidhet ky problem?

Muharremaj: Ky problem vazhdon të jetë preokupim në Komunën e Suharekës, përkundër angazhimit tek të gjitha qeverisjet që kanë qenë deri më tani. Është punuar deri më tani dhe me projekte do të vazhdojmë edhe më tutje. Investime për rregullimin e ujësjellësit kanë përfunduar vitin e kaluar në Bukosh, më tutje do të vazhdohet në fshatin Peqan. Gradualisht ne do të punojmë me shumë seriozitet që kjo çështje problematike ti takoj të kaluarës që qytetarët njëherë e përgjithmonë ta kenë të zgjidhur problemin e ujit.

Lajmi.net: Probleme më furnizim më ujë të pijshëm ka dhe brenda qyteti, sidomos gatë sezonit të verës ka reduktime të gjata të ujit të pijshëm dhe kjo rëndon jetën e qytetarëve të Suharekës?

Muharremaj: Me sa jam i informuar unë, ujë të pijshëm ka brenda qytetit. Natyrisht gjatë thatësirave mund ti ekspozohemi ndonjë mungese momentale,  por në përgjithësi në këtë çështje jemi më mirë se në të kaluarën.

Lajmi.net: Qyteti i Suharekës ka probleme të mëdha me mungesën e parkingjeve, qytetarët i parkojnë vend e pa-vend veturat, e këmbësorët nuk kanë trotuar. Si do arrini ta zgjidhni këtë problem?

Muharremaj: Ky problem do të zgjidhet. Mbi 345 parkingje i kemi të reja të cilat e kanë lehtësuar këtë rendes që po e theksoni. Do të ketë edhe shumë investime në rregullim të shesheve dhe  parkingjeve të reja, dhe për këtë do të jeni dëshmitarë kur ato do të përurohen.

Lajmi.net: Duke qenë se vini nga partia që ka kryeministrin, cili është raporti i komunës me nivelin qendror? A po keni përkrahje më shumë se mandatin e parë kur kryeministri ka qenë nga një parti tjetër?

Muharremaj: Unë e falënderoj Kryeministrin Ramush Haradinaj, për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme. Mendoj se ka më shumë seriozitet që të investohet nga Qeveria për mirëqenien e qytetarëve. Ka pasur investime edhe në të kaluarën por jemi dëshmitar se tani z. Haradinaj ka respekt për qytetarët e komunës tonë dhe kjo do të dëshmohet edhe në të ardhmenEgzonë Idrizi