Intervistë: Shefi i ri i BE-së në Kosovë flet për Specialen, heqjen e vizave dhe dialogun

10.10.2020 18:35:36

Tomáš Szunyog është shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë që ka zëvendësuar Natalyia Apostolovan. Szunyog në një intervistë për lajmi.net ka folur rreth qëllimeve të tij në detyrën e re, për sfidat me të cilat përballet Kosova – aspektin zhvillimor të vendit dhe këndvështrimin e Bashkimit Evropian mbi Kosovën. Ai ka folur për Gjykatën Speciale dhe për ndryshimet që duhet të ndodhin në proceset integruese dhe shtetformuese të Kosovës e gjithashtu edhe për liberalizimin e vizave.

Szunyog, për lajmi.net është shprehur se ka marrë detyrën në Kosovë në kohët e vështira të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19 dhe thotë se tani prioritet kryesor e ka ndihmat ndaj Kosovës në aspektin shëndetësor dhe socio-ekonomik, shkruan lajmi.net.

Ai gjithashtu në intervistë duke thënë se Bashkimi Evropian është investuesi dhe mbështetësi kryesor i Kosovës, ka shpalosur detaje nga plani i Bashkimit Evropian për Investime në Ballkanin Perëndimor duke përmendur shifrën e 9 miliardë eurove si ndihmë e para-anëtarësimit ndaj vendeve të rajonit.

Më tutje, sundimi i ligjit dhe luftimi i krimit të organizuar, një sistem zgjedhor më efikas dhe zbatimi i marrëveshjes së MSA-së, sipas Szunyog janë me rëndësi të qenësishme për zhvillimin e Kosovës.

“Shërbime më të mira shoqërore, më shumë barazi gjinore, më pak dhunë në familje, shoqëri civile më e fortë, media më të pavarura, investime në kulturë dhe më shumë mbështetje dhe simpati për komunitete të ndryshme dhe grupe të paprivilegjuara, gjithashtu nevojiten në Kosovë.”, tha Szunyog për lajmi.net.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Szunyog është shprehur se Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se pret nga vendet anëtare të votojnë pro liberalizimit të vizave për kosovarët.

Më tutje, Szunyog duke folur për Gjykatën Speciale është shprehur se BE e mbështet punën e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe se është e rëndësishme që ata të zhvillojnë punën e tyre pa ndikime nga jashtë.

Këto dhe shumë detaje të tjera nga intervista e lajmi.net me shefin e ri të BE-së në Kosovë mund t’i lexoni në INTERVISTËN E PLOTË:

: Fillimisht, cilat janë qëllimet e juaja si shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë?

Tomáš Szunyog: Unë kam arritur në Kosovë në kohërat sfiduese të COVID-19 kur shumë njerëz në botë përjetojnë vështirësi mendore, fizike dhe ekonomike. Njerëzit në Kosovë nuk bëjnë përjashtim. Ndiej dhembshuri për të gjithë ata që vuajnë dhe për të afërmit e tyre. Për të pasur sukses në luftimin e pandemisë është thelbësore të qëndrosh i përgjegjshëm, të mbroni njëri-tjetrin dhe të ndjekësh rekomandimet nga autoritetet. BE-ja tashmë ka siguruar 168 milionë euro për të adresuar aspektet shëndetësore dhe socio-ekonomike të pandemisë COVID-19. Ky do të mbetet prioriteti im kryesor.

Unë gjithashtu do të vazhdoj të mbështes rrugën evropiane të Kosovës dhe zhvillimin e saj, si në aspektin e vlerave evropiane dhe të ndihmës konkrete financiare. BE ka investuar mbi 2.5 miliardë euro në çdo segment të shoqërisë kosovare gjatë 20 viteve të fundit. Vetëm në periudhën 2014-2019, BE ndihmoi Kosovën me 470 milionë euro, duke mbështetur sundimin e ligjit, të drejtat themelore, mjedisin, energjinë, arsimin, punësimin, konkurrencën, NVM-të, inovacionin, bujqësinë, demokracinë dhe qeverisjen.

BE është investitori, donatori dhe partneri kryesor tregtar i Kosovës. Ne kemi krijuar mijëra vende pune, kemi mbështetur qindra kompani dhe kemi ndërtuar shkolla të shumta. Falë fondeve të BE-së, Prishtina ka ujë 24/7 tani dhe dhjetra-mijëra njerëz gëzojnë ngrohje qendrore të klasit të parë.

Këtë javë, Komisioni ka vendosur në tryezë një plan të gjerë të Ekonomik dhe Investues në Ballkanin Perëndimor, i krijuar për të rritur rimëkëmbjen afatgjatë përmes një pakete të konsiderueshme investimesh. Kjo nga ana tjetër do të çojë në rritje të qëndrueshme ekonomike. Me Planin, ne synojmë të mobilizojmë deri në 9 miliardë të fondeve të grantit nën Instrumentin e ardhshëm të Ndihmës së Para-Anëtarësimin për të mbështetur konvergjencën ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian. Fokusi është në transport, energji, mjedis, digjitalizim, sektorin privat dhe rininë.

Sidoqoftë, rritja e investimeve ekonomike në Ballkanin Perëndimor do të jetë e mundur vetëm nëse qeveritë vendosmërisht angazhohen dhe zbatojnë reforma themelore të bazuara në vlerat evropiane, të tilla si reformat ekonomike strukturore, forcimi i sundimit të ligjit dhe përmirësimi i administratës publike. Paketa e Zgjerimit 2020, e miratuar më 6 tetor së bashku me Planin Ekonomik dhe Investues, ofron një përmbledhje të hollësishme të gjendjes së reformave themelore dhe udhëzimeve për këto përparësi të reformave. Këto mbeten në zemër të procesit të pranimit në BE.

: Në çfarë fusha të zhvillimit ka ngecur Kosova sipas jush dhe çfarë duhet të ndryshohet ose të përmirësohet në mënyrë që të ecet përpara me hapa të shpejtë?

Tomáš Szunyog: Unë do të vazhdoj të promovoj përparësitë e mirë-vendosura dhe afatgjatë të Bashkimit Evropian: Arsim më të mirë për të gjithë, më shumë siguri ligjore, mbështetje për rritjen ekonomike dhe klimë e përmirësuar për investime. Është e rëndësisë së veçantë që njerëzit të kenë besim në institucione dhe të dinë se përparimi i tyre në jetë është rezultat i punës dhe meritës së tyre. Unë do të vazhdoj të bëj thirrje për një luftë efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Forcimi dhe përmirësimi i procesit zgjedhor duhet të merret si një prioritet.

Kosova gjithashtu duhet të përqendrohet më shumë në përpjekjet e saj për mjedisin. Bashkimi Evropian po investon 76 milionë euro për të zvogëluar ndotjen dhe rreziqet shëndetësore nga termocentrali Kosova B. Rimëkëmbja e gjelbër është një mundësi për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës.

Një zbatim i fuqishëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) që Kosova ka nënshkruar me Bashkimin Evropian është e interesit të përbashkët. Unë kam besim se jeta e njerëzve do të përmirësohet s amë shumë që MSA zbatohet: standardi i jetesës do të rritet dhe korrupsioni do të ulet. Zbatimi i MSA-së është shans i madh i Kosovës për përparim.

Shërbime më të mira shoqërore, më shumë barazi gjinore, më pak dhunë në familje, shoqëri civile më e fortë, media më të pavarura, investime në kulturë dhe më shumë mbështetje dhe simpati për komunitete të ndryshme dhe grupe të paprivilegjuara, gjithashtu nevojiten në Kosovë.

: Kosova ende nuk ka marrë liberalizimin e vizave, pavarësisht faktit se Komisioni Evropian shpesh e ka pranuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, pse po ndodh kjo dhe kur mendoni se kosovarët do të lëvizin lirshëm?

Tomáš Szunyog: Unë dua që njerëzit e Kosovës të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejtë të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe ka rekomanduar që vizat të hiqen për Kosovën. Një vendim përfundimtar tani duhet të merret nga Shtetet Anëtare të BE-së.

: Së fundmi, tema e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe është rikthyer në diskutim, si e shihni ju këtë çështje?

Tomáš Szunyog: Unë jam i inkurajuar nga fakti që dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit ka rifilluar dhe që BE e ka emëruar Miroslav Lajçak si emisar të Posaqëm për Dialogun. Sa më shpejt që të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve, aq më shpejtë Kosova do të jetë në gjendje të ecë përpara.

: Paraardhësja juaj, zonja Apostolova ka qenë shumë shpesh kritike dhe e ashpër me skenën politike në Kosovë, a do të shohim diçka të ngjashme nga ju?

Tomáš Szunyog: Rritja e investimeve dhe rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor do të jetë e mundur vetëm me angazhimin e vendosur të Kosovës dhe zbatimin e reformave themelore të bazuara në vlerat dhe standardet evropiane. Udhëheqësve të Kosovës u duhet një përqëndrim i fortë në agjendën evropiane për të përmirësuar jetën e njerëzve.

: Cili është qëndrimi juaj në punën e Gjykatës Speciale, mandatin dhe juridiksionin e saj?

Tomáš Szunyog: Në vitin 2015 Kosova mori një angazhim të qartë me BE-në dhe me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar Dhomat e Specializuara. BE vazhdon të jetë mbështetëse e fortë e punës së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Është veçanarisht e rëndësishme që ata të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndonjë ndërhyrje nga jashtë.

: Në fund, cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës?

Tomáš Szunyog: Rrugët e BE-së dhe Kosovës do të jenë të bashkuara gjithmonë. BE mbetet mbështetësi më i madh i Kosovës në këto kohë të vështira dhe më tej. Unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për të ndihmuar Kosovën të ecë përpara në aspekte të ndryshme të jetës të rëndësishme për njerëzit.