Irani do të ekzekutojë “agjentin e CIA-s” që ndihmoi në vrasjen e gjeneralit Sulejmani

10.06.2020 10:01:45

Një iranian përgjegjës për rrjedhjen e informacionit që çoi në vrasjen e gjeneralit të fuqishëm Qassem Suleimani, por pa përfshirje të drejtpërdrejtë në të, është dënuar me vdekje në republikën islamike dhe do të varet shumë shpejt.

Zëdhënësi i organeve gjyqësore të vendit, Gholamhossein Esmaili tha se shtetasi I identifikuar si Seyed Mahmoud Mousavi Majd, kishte dhënë informacione për lëvizjet e Suleimanit dhe ia dha ato CIA-s e agjencisë izraelite të inteligjencës; në këmbim, u shpërblye me para kesh.

Ndërkohë vetë zyra e shtypit e gjyqësorit Iranian konfirmoi më vonë se burri kishte qenë në burg në kohën kur u sulmua autokolona e gjeneralit në Bagdad. Esmaili tha se dënimi me vdekje ishte pranuar nga e ashtquajtura gjykata revolucionare dhe është konfirmuar më pas, dhe nga një gjykatë tjetër.

“Mahmoud Mousavi Majd, një nga spiunët e CIA-se dhe Mosadit kishte ndarë me armiqtë tanë informacione në lidhje me vendndodhjen e dëshmorit Suleimani”, tha zëdhënësi.

Kreu i Forcës Quds të Gardës Revolucionare iraniane u vra nga një dron amerikan në Bagdad në 3 Janar së bashku me Abu Mahdi al-Muhandis, zëvendëskryetari i Hashd al-Sha’abi të Irakut, një organizatë paraushtarake irakiane e lidhur me Teheranin. Donald Trump e kishte aprovuar personalisht vrasjen e tij disa ditë përpara se ajo të ndodhte.