Irani ka ndërtuar “dron vetëvrasës”

26.10.2016 14:41:43

Irani krijoi dron me radius të veprimit prej 1.000 kilometra, që mund të shfrytëzohet edhe për vëzhgim për sulme tokësore dhe detare, kumtuan burimet e njësisë elite iraniane “Rojtarët e revolucionit”.

Droni është quajtur “Saegeh”, që në përkthim në gjuhën persiane do të thotë “rrufe”. Mjeti është bartës për shpërthime, por jo edhe i raketave. Ajo ka kamera të sofistikuara dhe është  e aftë të sulmojë caqe edhe natën.

Mund të fluturojë me shpejtësi prej 250 kilometra në orë, në lartësi deri në 900 metra dhe të paktën 50 centimetra mbi sipërfaqen detare.

Në fillim të muajit ai mjet ishte paralajmëruar nga vetë “Rojtarët e revolucionit”. Fluturakja është bërë sipas dronit amerikan, i cili ishte zënë nga ushtria iraniane në vitin 2011, pas së cilës ishin publikuar edhe fotografi.