“Irma” po shkatërron gjithçka para vetës: “Zot, çfarë zhurme” (VIDEO/FOTO)

06.09.2017 19:55:29

Uragani “Irma” u përplas me tërbim në Karaibe duke lënë pas rrugë të përmbytura, shtëpi të shkatërruar dhe qindra-mijëra vetë të bllokuar dhe pa energji elektrike.

Shpejtësia e erës arrin deri në 300 kilometra në orë, duke e bërë “Irmën” uraganin më të fuqishëm të regjistruar ndonjëherë në Oqeanin Atlantik.

Kuba, Bahamas dhe Ishujt Virxhin po përgatiten të përballen me uraganin monstër, ndërkohë që autoritetet franceze në territorin Saint Barthelemy dhe Saint Martin flasin për përmbytje apokaliptike dhe erëra aq të forta sa kanë rrëzuar edhe ndërtesat qeveritare.

Në shumë zona ka nisur menjëherë shpërndarja e ushqimeve dhe ilaçeve, ndërkohë që uragani vazhdon rrugëtimin e vet drejt tokës amerikane.

Presidenti Donald Trump shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Florida, Puerto Riko dhe Ishujt Virxhin të Amerikës, duke mobilizuar kështu edhe agjencitë federale që ndërhyjnë në rast katastrofash natyrore.
Pjesë të Teksasit dhe Louisianës vazhdojnë të bëjnë llogaritë me dëmet që la pas uragani “Harvey”, por nuk është ende e qartë se çfarë impakti do të ketë “Irma” në territorin kontinental amerikan, i cili nuk është goditur asnjëherë brenda një sezoni nga dy uraganë të kategorisë së katërt e më shumë, që kur nisi për herë të parë regjistrimi i stuhive në vitin 1851.

Një stuhi e tretë tropikale u formua në Atlanik pas “Irmës”, ai “Jose”, e pritet që edhe ai të shndërrohet në uragan më vonë gjatë javës.