Ish-deputetit të PD i vdes vjehrri, ndryshon ceremonia zakonore për shkak të koronavirusit

12.03.2020 09:48:17

Vjehrri i ish deputetit Eduard Halimi është ndarë nga jeta ditën e sotme. Njoftimin e ka bërë vetë Halimi, i cili jep lajmin e trishtë, ndërsa anulon edhe ceremoninë zakonore mortore që zhvillohen në Shqipëri, për shkak të frikës nga koronavirusi.

“Koha kërkon që të ndryshojmë zakonet tona shekullore dhe ne të gjithë ju mirëkuptojmë për këtë! Shëndeti juaj dhe i familjarëve tuaj është para së gjithash dhe mbi të gjitha”, shkruan ish-deputeti ndër të tjera.

Halimi njofton se ritet sipas zakonit, vizitat pas mortore dhe dreka përkujtimore do të zhvillohen në një ditë tjetër, ku rreziku nga koronavirusi të jetë i vogël.

Postimi i Eduard Halimit:

Pas një sëmundje të gjatë ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare Mark Kilica, babai i bashkëshortes sime. Ai ishte nipi i Tonç Kilicës, Kryetarit të Parë të Bashkisë Fier i cili dhe ngriti flamurin ne Fier, vëllai i heroit Janaq Kilica, vellai i Vilson Kilicës, piktorit të popullit dhe pasardhës i shumë patriotëve të tjerë në qytetin e Fierit.

Marku studioi për Inxhinieri në Kinë dhe gjithë jeten ia perkushtoi ndertimit dhe drejtimit si Kryeinxhinier i Azotikut ne Fier. Ai u martua me Klarën dhe solli në jetë dy vajza, Holtën dhe Lean, bashkëshorten time!

Të dashur miq, shokë e të aferm! Unë e di se në kushte normale secili prej jush do donte të ishte bashkë me ne, me familjen tonë, që të na gjendeshit në këtë ditë shumë të trishtuar për të gjithë ne, ashtu si dhe ne ju jemi gjendur. Por në kushtet në të cilat ndodhet vendi, pandeminë e CoronaVirus, gjithë familja jonë e mirëkupton plotësisht pamundësinë tuaj sipas rastit për të marrë pjesë në ceremonine e sotme mortore tek Alba 2000 pranë Medresesë në Tiranë dhe funeralin që nis në oren 12.00 për në varrezat e Sharrës!

Koha kërkon që të ndryshojme zakonet tona shekullore dhe ne të gjithë ju mirëkuptojmë për këtë! Shëndeti juaj dhe i familjarëve tuaj është para së gjithash dhe mbi të gjitha!

Të gjitha ritet sipas zakonit, vizitat pas mortore dhe dreka përkujtimore do të zhvillohen në një moment tjetër pas kalimit të situatës me CoronaVirus.

Ju falenderojmë shumë për mesazhet tuaja! Në emrin tim dhe të gjithë familjes së bashkëshortes sime! Eduard Halimi