Ish-ministri i PD-së mori telefonatë nga Basha pasi ia kërkoi dorëheqjen

26.06.2017 12:16:53

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka bërë një deklaratë të fortë këtë të hënë, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të Lulzim Bashës nga PD-ja dhe rinisjen e fushatën brenda partisë për rizgjedhjen e një tjetër drejtuesi.

Në shkrimin e tij për Panorama-n Besnik Mustafaj, detyrën dhe përgjegjësinë e nisjes së zgjedhjeve në PD ja lë Berishës, i cili sipas tij, kësaj here nuk duhet ta bëjë publike se kë mbështet në krye të partisë më të madhe të djathtë.

Por po sot, vetë Mustafaj, ka treguar dhe telefonatën që ka pasur në mëngjes me liderin e demokratëve Lulzim Basha.

“Basha më ka marrë që sot në tel pasi lexoi shkrimin, besoj se reagimi i tij ishte i drejtë. Shqetësimi i tij ishte që të mos demoralizonim komisionerët. Nuk bëmë debat. Nuk do tregoj bisedën. I drejtohem demokratëve që janë në komisione, si numërues apo vëzhgues, nuk duhet të dekurajohen. Detyra e tyre është më e madhe tani në mënyrë që çdo votë e demokratëve të shpëtohet. Shqetësimi i tij është i drejtë sepse dhe unë jam i shqetësuar që këta përfaqësues tanë duhet t’i shkojnë deri në fund procesit. Ne e kemi njohur në vitin 2001 dekurajimin. Besoj se kryesorja tani është që Basha të marrë vendimin që i takon”, tha Mustafaj.

Ai tha se e ka ndjekur procesin e numërimit nga shtëpia duke e përjetuar me dhimbje si demokrat.

“E kam kaluar gjithë natën duke ndjekur rezultate, duke i ndjekur më një shpresë fëmijë se rezultati do të zbutej pak. E kam ndjekur nga shtëpia ime. Por kjo nuk është kryesorja por dhimbja ime që kam si demokrat që PD të mos asfiksohet. Duhet të futet në një proces vitalizues”, u shpreh Mustafaj.