Itali, shqiptari i dehur aksidenton për vdekje tre persona

15.08.2017 12:15:55

Një i ri shqiptar është arrestuar në Itali pasi ka përplasur me makinën e tij një tjetër mjet, ku ndodheshin tre persona që kanë humbur jetën.

Aksidenti ka ndodhur mes Tranit dhe Boccadoros, pak kilometra larg në veri të qytetit të Barit.

Sipas shtypit italian, mësohet se shqiptari, 22 vjeç, ka qenë në gjendje të dehur dhe ka përplasur një mjet tjetër që po i vinte përballë, duke e nxjerrë jashtë rruge, me mjetin që ka marrë flakë dhe është karbonizuar.

Të tre personat që ndodheshin në bordin e makinës, dy gra dhe një burrë kanë vdekur.

Shqiptari ndodhet në spital pas plagëve të marra pas aksidentit. Me të ndodhej edhe një shtetas tjetër shqiptar, i cili ka mbetur i plagosur nga aksidenti.