Izraeli rrënon qendrën e karantinës në Bregun Perëndimor

21.07.2020 23:17:42

Forcat izraelite rrënuan qendrën e karantinës në Bregun Perëndimor që u hap në kuadër të luftës kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Qendra njëkatëshe e cila ishte vendosur në sipërfaqe prej 700 metrash katrorë në hyrje të qytetit El-Halil të Bregut Perendimor është rrëzuar me arsyetimin se nuk posedonte lejen e ndërtimit.

Palestinezi Raid Misvedde, i cili dhuroi tokën në të cilën u ndërtua qendra, tha se “shtetit okupues nuk i pëlqeu qendra, ndërtimi i së cilës filloi tre muaj më parë dhe e cila pritej të hapej së shpejti”.

Misvedde theksoi se Izraeli nuk ka probleme me luftën kundër COVID-19 dhe se vazhdon të shkelë të drejtat e palestinezëve.

Dëshmitarët okularë pohojnë se forcat izraelite, me të njëjtin pretekst, rrënuan shtëpinë e një palestinezi në qytetin Selfit, në veri të Bregut Perëndimor, e cila ishte në proces ndërtimi.

Forcat izraelite, nën pretekste të ndryshme, vazhdojnë të rrënojnë shtëpitë në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor.

Në vitin 1995, delegacionet palestineze dhe izraelite nënshkruan të ashtuquajturën “Marrëveshja e dytë të Oslos”, sipas së cilës Bregu Perëndimor i okupuar u nda në tri zona.

Zona “A” mbulon 18 për qind të territorit të Bregut Perëndimor dhe palestinezët kanë autoritet administrativ dhe sigurie. Zona “B” përbën 21 për qind të Bregut Perëndimor dhe është e ndarë në kompetenca administrative dhe të sigurisë. Zona e tretë dhe më e madhe “C” mbulon 61 për qind të

Bregut Perëndimor dhe është plotësisht nën kontrollin e Izraelit.
Burimet lokale pretendojnë se forcat izraelite rrënuan 521 shtëpi vetëm vitin e kaluar nën pretekstin se ato ishin ndërtuar në zonën “C” ose “nuk kishin lejet e nevojshme”.