Ja çfarë deklaruan disa politikanë në Maqedoni për shenjtërimin e Nënës Terezë

04.09.2016 16:41:24

Me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë, ish-kryeministri Nikolla Gruevski ka propozuar një medalje ndërkombëtare për merita ”Nënë Tereza”.

Me këtë rast, Gruevski thotë se Nënë Tereza ia kushtoi jetën e saj ndihmës ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe të uriturve, duke shtuar se ajo iu përkushtua edhe fëmijëve jetimë.

Për kryeministrin e tanishëm, Emil Dimitriev, shenjtërimi i Nënës Terezë është një ngjarje e madhe për Maqedoninë dhe popullin maqedonas, duke shtuar se bota fitoi një shenjtore me prejardhje nga Maqedonia.

Ndërkaq, kryetari Gjorge Ivanov ka deklaruar se duhet të jemi krenarë që kemi një bashkëqytetare shenjtore, të jemi krenarë për veprën e saj dhe gjithçka që ajo bëri.

Frosina Remenski, ministre e punës dhe politikës sociale deklaron se me shenjtërimin e Nënës Terezë dërgohet porosia te të gjithë njerëzit, pa dallim etnik e fetarë, se duhet të lëmë gjurmë në jetën tonë, gjurmë dashurie, mirësie dhe solidariteti.

Edhe Diaspora e Bashkuar Maqedonase deklaron se dita e sotme është ditë historike për popullin maqedonas, kurse Nënë Tereza është ndër simbolet më të mëdhaja të bashkimit në Maqedoni.