Janusz Bugajski: Shqiptarët të jenë pjesë e Qeverisë së re të Malit të Zi

14.10.2016 17:44:23

Vazhdimi i mandatit të qeverisë pro-perëndimore të Millo Gjukanoviqit në Mal të Zi do ti konvenonte më shumë Kosovës, pavarësisht çështjes së demarkacionit me këtë shtet fqinj, se sa fitorja eventuale e opozitës së Frontit Demokratik të orientuar drejt Serbisë dhe Rusisë. Kështu deklaroi për RTK-në, analisti ndërkombëtar i politikave Janusz Bugajski. “Mendoj se është thelbësore për grupet minoritare, sidomos shqiptarët dhe boshnjakët, në Mal të Zi, jo vetëm që të votojnë, por edhe të jenë pjesë e qeverisë së re”, deklaroi Bugajski dhe shtoi se “fitorja e një koalicioni anti-Gjukanoviq do të ishte shumë e dëmshme për Kosovën dhe do t’ju ndihmonte nacionalistëve në Beograd që të bëjnë fushatë kundër Kosovës dhe kjo do të rriste ndikimin e Rusisë në Ballkan dhe kjo nuk është diçka që shqiptarët do të donin”. Ai pohoi se grupet minoritare në Mal të Zi kanë qenë vendimtare në referendumin e Malit të Zi për pavarësi. “Mendoj se më mirë do të ishte nëse kjo qeveri aktuale, do të merrte një mandat të dytë”, sqaroi analisti nga Uashingtoni. Ai tha se Rusia përmes disa partive opozitare malaziase po tenton të ndryshojë qeverinë në Mal të Zi në mënyrë që të parandaloj rrugën perëndimore të Malit të Zi drejt BE-së dhe NATO-s. Në zgjdhjet parlamentare të Malit të Zi të drejtë vote kanë mbi 530 mijë qytetarë ndërsa në garë janë 17 lista zgjedhore. Në të gjitha zgjedhjet e deritanishme fitore të bindshme ka korrur Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e kryeministrit aktual Millo Gjukanoviq.