Skandali i madh i Ramës në Serbi: A e dinte kush është Andriq para se të citonte fjalët e tij?

14.10.2016 18:06:38

“Do ta citoj Andriqin i cili ka thënë se ndërmjet frikës e shpresës gjithmonë gjendet një hapësirë dhe shumëkush jetën e kalon në atë hapësirë të errët duke pritur atje ku kurrë asgjë nuk ndodh. Besoj se ndërmarrësit ndërmjet frikës e shpresës, gjithmonë zgjedhin shpresën, sepse në të kundërtën do të bankrotonin, ndërsa politikanë zgjedhin frikën, sepse nuk janë në rrezik që të bankrotojnë”, citon b92 të ketë thënë Edi Rama.

Këtij citimi të Ramës, mediat serbe i kanë dhënë hapësirë të madhe. Agjencia shtetërore serbe e lajmeve, Tanjug e ka lajm kryesor. “Rama citon Andriqin: Mos ketë luhatje ndërmjet frikës e shpresës”, shkruan Tanjug, transmeton lajmi.net.

Por kush është Ivo Andriq që e citon Edi Rama? Ivo Andriq, i njohur me elaboratet e tij kundër shqiptarëve, ka qenë diplomat dhe letrar serb e jugosllav i cili në vitin 1961 ka marrë Çmimin Nobel për Letërsi.

Çfarë kishte Andriq për shqiptarët?

Në 121 vjetorin e lindjes së fituesit të Nobelit për Letërsi, kroatit Ivo Andriq – që veten e mbante për serb – idetë e tij ekstremiste politike vazhdojnë të provokojnë polemika në Serbi.

“Serbia duhet që me Italinë ta ndajë Shqipërinë dhe kështu të eliminojë qendrën tërheqëse për minoritetin arbanas (shqiptar) që ka një pretendime për Kosovën”, ka thënë Andriq më 1939, si diplomat, i cili në një referat për Qeverinë e Mbretërisë së Jugosllavisë ka propozuar “zgjidhjen” e çështjes së Kosovës.

Ndryshe nga veprimtaria letrare e tij, Novosti shkruan se aktiviteti i tij politik për dekada është shtyrë në qilim, ndërsa për qëndrimet e tij nacionaliste edhe sot, më 9 tetor, në 121 vjetorin e lindjes së tij, pakkush në Serbi dëshiron të flas!

Një prej këtyre “veprave” të tij është referati “Për çështjen arbanase”. Aty ai jep “zgjidhje” për “problemin e Kosovës”: shpërnguljen e shqiptarëve të besimit islam në Turqi, si dhe zgjerimin e shtetit serb deri në Shkodër. Ndonëse deklarohej me tezën “Ballkani – ballkanasve”, për ndarjen u pajtua pas takimit me ministrin e Jashtëm italian, në janar 1939.

“Lejimi i Italisë për të marrë të paktën një pjesë të territorit të Ballkanit, është një e keqe më e vogël, sepse për ne në këto çaste është vetëm një gjë e rëndësishme, e ky është sigurimi strategjik i Kosovës”, ka thënë Andriq. “Marrja e Shkodrës në këtë rast mund të jetë i një rëndësie të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte realizimin e shumë punimeve hidroteknike dhe fitimin e tokave pjellore për ushqimin e Malit të Zi”.

Nobelisti “serb” mendonte se me ndarjen e Shqipërisë edhe “pakica shqiptare në Kosovë do të asimilohej më lehtë”.

“Ne me marrjen e Shkodrës do të fitonim edhe 200-300 mijë arbanasa, por ata në shumicë janë katolikë, raporti i të cilëve me arbanasat myslimanë nuk ishte kurrë i mirë. Çështja e shpërnguljes së arbanasave myslimanë në Turqi po ashtu do të bëhej në rrethana të reja, sepse nuk do të kishte reagime të mëdha për ta parandaluar këtë (Shqipëria – v.j.)”.

Ndarjen e Shqipërisë udhëheqjes jugosllave ia ka ofruar edhe Grofi Galeazzo Ciano. Mbreti i Jugosllavisë e ka refuzuar këtë plan me arsyetimin se “nuk na duhet asnjë shqiptar më shumë”, ndërsa kryeministri Milan Stojadinovic nga Andriqi, i cili kryente rolin e ministrit të Diplomacisë, kërkon analizë më të detajuar. Referati i Andriqit, i shkruar në janar 1939, ruhet në Arkivin e Serbisë, “Fondi i Milan Stojadinoviqit”, kutia 37.

Mu për këtë referat, Ibrahim Rugova, pas vdekjes së liderit të Jugosllavisë komuniste, Josip Broz Tito, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ka kërkuar që të fshihen të gjitha veprat e Andriqit nga literatura në gjuhën shqipe.

Historiani serb, Dragan Petroviq, thotë se angazhimi politik i Andriqit është thumbues edhe sot, “sepse shkrimtari ishte patriot i madh serb, diçka për standardet e imponuara moderne politike nuk është e dëshirueshme”.

“Nga pikëpamja e mediave të sotme dhe një pjese të skenës politike në Serbi, angazhimi i Andriqit për interesat e vendit dhe të popullit është i papranueshëm, ashtu si nuk mund t’ia falin se ishte anëtar i ‘Mlada Bosnes’ (“Bosna e Re”, organizatë terroriste serbe që vrau trashëgimtarin e fronit austro-hungarez për çka nisi Lufta e Parë Botërore – v.j.) dhe një nga dhjetëra-mijëra të burgosur politikë serbë në Austro-Hungari. Dëshmitarë jemi se shumë të tillë, si në Perëndim, ashtu edhe në hapësirat e ish-Jugosllavisë, përpiqen të revidojnë historinë, që Gavrilo Principin (vrasësin e Franz Ferdinandit, djalit të perandorit austriak – v.j.), e quajnë vrasës dhe ekstremist. Kush e di, ndoshta edhe Andriqi do të shpallet terrorist”, thotë ai për Novosti.

Sipas tij, në tërë veprimtarin e tij Andriqi ishte konstant në qëndrimin e kundërshtimit të idesë së boshnjakëzimit sipas platformës së Benjamin Kallayt (konsull i Austro-Hungarisë në Beograd, ish guvernator i Bosnjës dhe Hercegovinës në vitet 1882-193, që ka synuar identitetin e përbashkët boshnjak në BH për të ndaluar nacionalizmin e tri grupeve etnike në këtë rajon – v.j.).

“Andriq të njëjtën kohë ishte pengesë e planeve kroatomadhe dhe të Vatikanit, sepse edhe pse i lindur si katolik, ishte serb me kombësi, si shumë serbë katolikë në Bosnje dhe Hercegovinë, Dubrovnik, Bokë dhe Sllavoni. Pikërisht mesazhet jetësore të Andriqit, por edhe Njegosit (shkrimtar dhe sundimtar i Malit të Zi me qëndrime proserbe – v.j.) dhe Mesa Selimovicit (shkrimtar mysliman që e mbante veten serb dhe kishte qëndrime antishqiptare – v.j.) u pengojnë ende atyre që kërkojnë riformim të fakteve historike në rajonin tonë”, thotë ai. /Lajmi.net/