Japonia, vendi i të moshuarve mbi 100 vjeç

13.09.2016 12:37:15

Numri i 100 vjeçarëve në Japoni është rritur me 6,7 për qind në krahasim me një vit më parë, duke arritur në 65.692 në vitin 2016 dhe duke thyer rekordet për vitin e 46-të radhazi, njoftoi sot Qeveria e këtij vendi.

“Nga numri total i 100-vjeçarëve, gratë numërojnë 87,6 për qind”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Gruaja japoneze më e vjetër Nabi Tajima është 116 vjeç dhe jeton në ishullin Kikai, ndërsa burri më i vjetër është, Masamitsu Yoshida, 112 vjeç dhe jeton në Tokio.

Në Japoni jetonin vetëm 153 persona me nga 100-vjeç në vitin 1963 kur Ministria filloi të grumbullonte këto të dhëna. Kjo shifër u rrit në 10 mijë në vitin 1998 dhe u trefishua në 32, 295 në vitin 2007, transmeton KP.

Ministria ia atribuon këtë jetëgjatësi rritjes së përkujdesjes mjekësore dhe teknologjive të zhvilluara mjekësore.

Në fakt Japonia po përballet me një barrë demografike prej dekadash për shkak të vjetërsimit të shpejtë të popullsisë dhe rënies së numrit të lindjeve.

Kritikët thonë se Qeveria ka bërë shumë pak për të zgjidhur këtë problem.

Personat që janë të moshës 65-vjeçare dhe më shumë pritet të arrijnë 40 për qind të popullsisë në vitin 2060, sipas Institutit Kombëtar të Kërkimeve mbi Sigurinë Sociale dhe Popullsinë.