Jep dorëheqjen ministri i Transporteve, Haxhinasto

02.09.2016 13:56:45

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i paraqiti sot kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, dorëheqjen e tij nga detyra, për shkak të angazhimit të mëtejshëm në parti.

Sipas një njoftimi për shtyp, Kryeministri e ka falënderuar ministrin e Infrastrukturës e Transporteve për punën e bërë në krye të dikasterit, kontributin e tij aktiv në skuadrën qeveritare dhe bashkëpunimin shumë të mirë me të.

Ministri Haxhinasto, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), ishte emëruar në këtë detyrë me ardhjen në pushtet të koalicionit të majtë.

Ky është ministri i dytë i LSI-së që largohet nga qeveria pas Nasip Naços nga posti i ministrit të Drejtësisë.

Ndryshimi i fundit në kabinetin qeverisës ndodhi në shkurt 2016, kur Shkëlqim Cani u shkarkua nga posti i ministrit të Financave dhe vendin e tij e zuri Arben Ahmetaj.

Ky i fundit që mbante postin e ministrit të Ekonomisë u zëvendësua nga Milva Ekonomi.