Joe Biden: Do të mbështes sovranitetin e Ukrainës në takimin me Putinin

08.06.2021 12:22:09

Presidenti amerikan Joe Biden i tha të hënën Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy se ai do të mbrojë çështjen e sovranitetin dhe integritetit territorial të Ukrainës, përpara një takimi të nivelit të lartë me udhëheqësin rus Vladimir Putin.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve se të dy udhëheqësit biseduan rreth marrëdhënieve dypalëshe gjatë një telefonate që i paraprin udhëtimit të Presidentit Biden në Evropë. “Ata patën mundësinë të flisnin gjerësisht për të gjitha çështjet në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë dhe Presidenti Biden i tha Presidentit Zelensky se ai do t’i qëndrojë fort çështjes së sovranitetit të Ukrainës, integritetin territorial dhe aspiratave të vendit për të ardhmen”, tha zoti Sullivan.

Presidenti Biden pritet të takohen më 16 qershor në Gjenevë me Presidentin rus Putin, takim që zhvillohet mes mosmarrëveshjesh të mprehta mbi ndërhyrjen në zgjedhje, të drejtat e njeriut dhe Ukrainën. Gjatë telefonatës së tij të parë në muajin prill me zotin Zelenskiy, pas marrjes së detyrës, Presidenti Biden i ofroi Ukrainës “mbështetjen e tij të palëkundur” ndërsa Rusia po forconte praninë ushtarake në kufirin lindor të Ukrainës në një situatë që shqetësoi Kievin dhe mbështetësit e tij perëndimorë.