Johannes Hahn njofton Serbinë : Pa normalizim me Kosovën rruga drejt BE-së vështirësohet

15.09.2017 13:43:12

Komisioneri evropian për zgjerim, Johannes Hahn ka thënë sot në Beograd se Brukseli nuk dëshiron sjelljen e problemit të Kosovës edhe në Bashkimin Evropian.

Gjatë vizitës në Serbi, Johanes Hahn ia ka rikonfirmuar shtetit serb se pa normalizim të raporteve me Kosovën, rruga e tyre drejt BE-së do të jetë e vështirë.

“Zgjerimi është i bazuar vetëm në meritat e secilit kandidat, ju mbani çelësat për derën e BE-së, por normalizimi me Kosovën është çështje e qëndrueshme dhe e pakthyeshme para anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Hahn.

“Dialogu duhet të shihet si një mundësi historike që vendet t’ia shtrijnë dorën e pajtimit njëri-tjetrit për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme në rajon”, tha komsioneri evropian.

Ai e vlerësoi lartë iniciativën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për nisjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për Kosovën.

Sipas tij, të jesh patriot dhe anëtar i BE-së janë dy anët e të njejtës medalje.