Juncker: Marrëveshja me Turqinë për emigrantët drejt prishjes

30.07.2016 11:20:56

Kreu i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se marrëveshja midis BE-së dhe Turqisë për emigrantët është drejt prishjes dhe këtë e ka lënë të kuptohet edhe presidenti turk.

“Rreziku është i madh. Suksesi i derimëtanishëm është i brishtë dhe i pakët. Presidenti Erdogan ka lënë të kuptohet tashmë disa herë se ai dëshiron ta prishë”, tha Juncker. Nëse kjo ndodh, atëherë një fluks tjetër emigrantësh pritet të mësyjnë në drejtim të vendeve të Evropës.

Marrëveshja midis BE-së dhe Turqisë u nënshkrua në mars të këtij viti dhe  frenoi  fluksin e emigrantëve.  Tashmë, marrëveshje mund të shkatërrohet pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi më 15 korrik.

Në një intervistë të gjerë për një gazetë austriake, Juncker tha gjithashtu se ishte “shumë i shqetësuar” për zhvillimet në Poloni dhe Hungari për shkak të miratimit të disa ligjeve antidemokratike nga qeveritë këtyre vendeve.

Të mërkurën, Komisioni Evropian i dha një afat tremujor qeverisë së djathtë të Polonisë që të bënte ndryshime e duhura në Gjykatën Kushtetuese, në të kundërt do të përballet me sanksione nga Bashkimi Evropian.