Juventus siguron mbrojtësin e së ardhmes për 25 milionë euro

12.01.2017 20:42:33

Juventus ka nisur vrapimin drejt së ardhmes, dhe ditën e sotme ka lajmëruar blerjen përfundimtare të mbrojtësit Mattia Caldra nga Atalanta, për të cilin është arritur marrëveshja prej disa ditësh. Megjithatë, Caldara nuk do të shkojë menjëherë në Torino, por “nga 2018-ta deri në 2021-in do të veshë ngjyrat bardhezi”, lexohet në komunikatën e klubit bardhezi. Për Caldara-n, Juventus do të shpenzojë 15 milionë euro plus 6 bonus, dhe deri në 2018-ën do të qëndrojë me formulën e huazimit në Bergamo, me klubin zikaltër që do të përfitojë edhe 4 milionë euro të tjerë gjatë kësaj kohe. Në total, klubi torinez do të shpenzojë 25 milionë euro.

“Klubi i Juventus komunikon se ka arritur marrëveshjen me klubin e Atalanta-s për blerjen përfundimtare të futbollistit Mattia Caldara kundrejt një pagese prej 15 milionë euro, që do të paguhen në katër këste, – lexohet në komunikatën e publikuar nga Juventus. – Vlera e blerjes do të rritet me 6 milionë euro, nëse do të plotësohen kushte të caktuara gjatë kohëzgjatjes së kontratës. Juventus ka nënshkruar me këtë lojtar deri në qershor të 2021-it”.