Juventusi me një këmbë në finale, falë Higuain

03.05.2017 23:40:08

Me shumë gjasa do të jetë Juventus-Real Madrid finalja e këtij edicioni në Uefa Champions League. Ashtu si Los Blancos edhe bardhezinjtë e Massimiliano Allegrit tashmë mund të konsiderohen me një këmbë në finalen e madhe të Cardiffit. Në Principatë përballë Monacos triumfoi grinta dëshira, loja e fortë në mbrojtje dhe taktika e italianëve, me Juventusin që ndali cdo sulm të skuadrës së Leonardo Jardim për tiu falur yllit argjentinas Gonzalo Higuain i cili me dy golat e tij, ndihmoi kampionët e Italisë të merrnin një fitore të cmuar me shifrat 0-2, brenda në stadiumin Luigji i 2-të. Pas 6 ditësh në Juventus Stadium bardhezinjtë e Allegrit duhet vetëm të administrojnë avantazhin e 2 golave për të siguruar biletën për në finalen e madhe të Champions-it për të dytën herë në 3 vitet e fundit.

E zgjuar lëvizja e Massimiliano Allegrit për të aktivizuar brazilianin Dani Alves përkrah Mandzukic e Dybalas në mbështetje të El Pipitas me Cuadradon që u ul në stol. Ishte pikërisht i ish lojtarit të Barcelonës asisti i golit të parë të realizuar nga Higuain, në minutën 29-të, finalizim që erdhi në një moment kyc të ndeshjes me Mbappen që më herët kishte shpërdoruar disa raste të mira për vendasit. Asist perfekt me finte i Dani Alves me Higuain që ndëshkoi portierin kroat të Monacos Subasic. Në pjesën e dytë pritej reagimi i skuadrës nga Principata por as sulmi më i mirë në Europë gjatë këtij sezoni, nuk arriti të thyente mbrojten e italinëve dhe portierin Buffon. Në kundërsulm, Juventusi ishte vërtet i frikshëm dhe në minutën e 59-të, Dani Alves u bë sërish protagonist me një krosim perfekt për El Pipitan që realizoi edhe golin e dytë që solli kapitullimin e Monacos. /Supersport.al/