Juves i mjaftojnë 3 minuta për kualifikimin, Baseli fiton në Manchester

07.03.2018 23:11:05

Tottenhami dominoi sfidën në ‘Wembley’, që nga fillimi dhe mbylli në portë Juventusin, por rezultatin arriti ta zhbllokojë vetëm në minutën e 39’, pas golit të shënuar nga Son Hueng-Min. Nga ana tjetër, bardhezinjtë bënë shumë pak në 45-minutshin e parë, teksa patën vetëm një rast, ku pretenduan 11-metërsh, në favor të Douglas Costës.

Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtën tablo si e para, me skuadrën e Pocchetinos që dominonte sfidën dhe kërkonte me ngulm golin e dytë.
Gjithsesi, një ‘blakc-out’ momental i londinezëve, mes minutës së 64’ dhe 67’, bëri që juventinët të dilnin në sulm dhe të dërgonin dy herë topin në rrjetë, fillimisht me Higuain dhe pastaj me argjentinasin tjetër, Dybala.

Minutat e mbetura panë sërish vetëm një skuadër në fushë, Tottenhamin, por bardhezinjtë e Allegrit ia dolën të ruajnë me fanatizëm portën dhe të kualifikohen për në çerekfinalet e Championsit.

Në sfidën tjetër mes Manchester Cityt dhe Baselit, çdo gjë ishte vendosur në ‘ST. Jacobs Park’, ku skuadra e Guardiolës triumfoi me rezultatin 0-4, ndërsa në ndeshjen e sotme ishin zviceranët që triumfuan me rezultatin 1-2. Vlen të theksohet se Guardiola kishte lënë në stol një pjesë të mirë të titullarëve, duke qenë se e kishte arkivuar kualifikimin.