Zyrtari fetar afgan objekt i sulmit kamikaz me bombë

07.03.2018 23:14:15

Një sulm kamikaz me bombë ka vrarë dy persona në lindje të Afganistanit, duke përfshirë udhëheqësin lokal të ministrisë së Haxhit dhe Çështjeve Fetare.

Grupi militant, Shteti Islamik e ka marr përgjegjësinë për sulmin e sotëm në kryeqytetin e Provincës Nangarhar, Jalalabad, përmes agjencisë së tij të lajmeve, Amaq.

Zëdhënësi i provincës Nangarhar, Attahullah Khogyani, ka thënë se 10 persona janë plagosur në shpërthim.

Sipas tij sulmuesi ka qenë afër zyrtarit për Çështje Fetare, Abdul Zahir Haqqani, kur ka kryer sulmin.

“Ai ishte duke iu afruar urës, kur sulmuesi i është afruar dhe e ka hedhur veten në erë”, ka shtuar zëdhënësi.

Talebanët dhe grupet e tjera militante të degëzuara të të ashtuquajturit Shteti Islamik janë aktive në Provincën Nangargar, e cila gjendet në kufi me Pakistanin dhe shumë shpesh është cak i sulmeve të zyrtarëve lokalë dhe forcave të sigurisë.

Më 6 mars, të paktën dy persona janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një tjetër sulmi me bombë, kanë njoftuar zyrtarët. Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.