Kabineti i Donald Trumpit: Këta janë njerëzit që do qeverisin Amerikën (Foto)

13.12.2016 18:53:56

Pas fitores që ndau në mes Amerikën, Donald Trump pothuajse ka kompletuar skuadrën qeverisëse.

Reince Priebus, presidenti i Komitetit Kombëtar Republikan është mes eksponentëve të paktë të GOP, të cilët nuk janë kundërshtarë të Trump. Ai është zgjedhur për postin kyç të Shefit të Stafit qeverisës, shefi i kabinetit, dhe krahu i djathtë i presidentit.

Rex Tillerson, 64 vjeç, numri 1 i gjigantit energjetik “Exxon Mobile”, është zgjedhur nga Trump për postin e Sekretarit të Shtetit, ministri i Jashtëm i SHBA. Profili i pasardhësit të John Kerryt, në detyrën e shefit të diplomacisë amerikane, parashikon edhe një ndryshim radikal të marrëdhënieve me Rusinë. Tillerson, president i kompanisë së naftës me bazë në Teksas nga viti 2004, ka një raport të ngushtë biznesi me presidentin rus, Vladimir Putin.

James Mattis, është super-skifteri që Trump ka dashur të ketë në sektorin e Mbrojtjes. Gjenerali i Marinës është në pension prej 4 vitesh, dhe ligji parashikon se një ushtarak nuk mundet të mbajë poste qeveritare para se të kalojnë 7 vite. Por ekziston një precedent i një ligji “ad hoc” në vitin 1950 për gjeneralin Marshall. Mattis e ka bindur Trumpin që të heqë dorë nga “torturat me ujë” për terroristët në mënyrë që të rrëfehen, pasi sipas tij ka metoda më efektive. Ai është njeriu që ka hedhur poshtë çdo përpjeke të bërë nga Obama, dhe vijon të shohë në Iran “rrezikun më të madh në Lindjen e Mesme”.

John Kelly, do të jetë kreu i ri i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Sekretari i Sigurisë Kombëtare. Gjenerali i Marinës në pension, 66 vjeç, ka punuar edhe në administratën Obama si asistent i dy krerëve të Pentagonit, Robert Gates dhe Leon Paneta. Ai ka qenë në krye të Komandës Jugore të SHBA deri në fillim të vitit 2016, duke komanduar forcat amerikane në Amerikën e Jugut dhe Amerikën Qendrore. Ai shërbeu edhe në Irak. Kelly humbi një djalë në Afganistan në vitin 2010. Ai është konsideruar si një i vendosur, njeriu i duhur për të “nënshkruar” kufijtë amerikanë, siç është premtuar nga Trump gjatë fushatës zgjedhore.

Stephen Bannon, 62 vjeç, do të jetë këshilltar politik dhe strateg i presidencës. Ai është themelues i portalit ekstrem të djathtë “Breitbart News”, si dhe ka drejtuar fushatën elektorale. Emërimi i tij ngjalli polemika dhe kritika nga ana e hebrenjve dhe myslimanëve.

Jeff Sessions është zgjedhur nga Trump si Sekretar i Drejtësisë. Senatori i Alabamas, një nga mbështetësit e parë të presidentit të ri, është bërë një këshilltar i besuar për Trump gjatë fushatës zgjedhore. Ai është kundër emigracionit të paligjshëm, abortit dhe barazisë për homoseksualët, ndërsa është në favor të shkurtimit të shpenzimeve publike dhe pro luftës kundër krimit.


Mike Pompeo ka marrë nga Trump ofertën për t’u ulur në karrigen e drejtorit të CIA-s. Ish-zyrtari i Ushtrisë, anëtar në Dhomën e Përfaqësimit në Kansas, dhe anëtar i komisionit të Inteligjencës, është me origjinë italiane.


Michael Flynn do të jetë këshilltari i ardhshëm për Sigurinë Kombëtare i presidentit të SHBA. Gjenerali i Ushtrisë, tashmë në pension, 57 vjeç, ka pranuar postin që i është ofruar nga Trump. Në të kaluarën, ai ka drejtuar Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes gjatë presidencës së Trump, dhe ka qenë kritik ndaj menaxhimit të luftës kundër ISIS.

Steven Mnuchin, 53 vjeç, ish-anëtar i Goldman Sachs, do të jetë Sekretari i ri i Thesarit. Disa orë pas shpalljes ai ka premtuar se do të bëjë “reduktimin më të madh të tatimit nga koha e Ronald Reagan”. Por emërimi i tij është në kundërshtim të qartë me sulmet e bëra gjatë fushatës zgjedhore nga ana e Trump për Hillari Klinton, për lidhjet e tyre me qarqet e “Wall Street”.

Wilbur Ross, 79 vjeç, do të jetë sekretari i Tregtisë. Miliarderi si dhe Trump, ish-bankier dhe investitor i specializuar në ringjalljen e kompanive të dështuara në industrinë e çelikut, qymyrit, tekstileve dhe telekomunikacionit. Ai do të drejtojë departamentin që përfshin tregtinë e jashtme, dhe menaxhimin e traktateve si NAFTA, TC, TTIP.

Todd Ricketts, 47 vjeç, do të jetë Ndihmës Sekretari i Tregtisë. Ai gjithashtu vjen nga bota e biznesit. I biri i Joe Ricketts, miliarderi dhe themeluesi i Ameritrade, është bashkë-pronar i ekipit të bejsbollit “Chicago Cubs”.

Tom Price, do të jetë Sekretari i Shëndetësisë. Kirurg ortoped dhe kongresmen republikan, 62 vjeç, u zgjodh për shkak se në Dhomën e përfaqësuesve u pozicionua si një kundërshtar i papajtueshëm me reformën e kujdesit shëndetësor. Duke folur për emërimin e tij, Trump u shpreh: “Është jashtëzakonisht i kualifikuar për të përmbushur angazhimin tonë për shfuqizimin dhe zëvendësimin e Obamacare, si dhe për të siguruar kujdes shëndetësor pa shumë kosto dhe të mundshëm për çdo amerikan”.

Nikki Haley, guvernatorja 44-vjeçare e Karolinës së Jugut, do të jetë ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara. Ajo është bije e dy emigrantëve nga India, dhe është konsideruar si një “yll në rritje” në Partinë Republikane, pasi shënoi mandatin e dytë në krye të këtij shteti, dhe si guvernatorja më e re në këtë detyrë. Zgjedhja ishte surprizuese për faktin se Haley ka kritikuar ashpër Trump për deklaratat e tij kundër emigrantëve dhe myslimanëve, duke u shprehur: “Këtë gjë nuk e duam nga një president”, transmeton tiranaobserver.

Betsy DeVos, 58 vjeç, sekretare e Arsimit. Miliarderja është sipërmarrëse, avokate, aktiviste dhe filantrope, ish-kryetare e Partisë Republikane në Michigan. Prej kohësh ajo është shprehur pro edukimit privat, arsimit. Si presidente e Federatës Amerikane për fëmijët, ajo ka promovuar shpërndarjen e letrave me vlerë në të gjithë vendin, në mënyrë që familjet të mund t’i përdorin për të dërguar fëmijët e tyre në shkollat private.