Kadaj-Bujupi i drejtohet LVV-së dhe LDK-së: Qe një muaj jeni marrë vetëm me shkarkime bordesh

02.03.2020 17:33:31

Është duke vazhduar seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kundër heqjes së taksës 100 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se kryeministri Kurti ka ndryshuar me ardhjen e tij në pushtet.

“Kryeministri ka ndryshu me ardhjen në pushtet, por ndryshimi më radikal është optimizmi i Kurtit në raport me Serbinë.  A mund të më thotë dikush pse duhet të hiqet taksa. Mos u nënshtroni. Problemet që ju i keni LVV-LDK nuk janë probleme tona. Është mirë me i kursy qytetarët nga kto telenovela. Çdo ditë njëri partner e kërcënon tjetrin se do të dalë nga Qeveria, kursenani, shkoni prapë në Prevallë dhe merruni vesh, merrni seriozisht çdo vendim”, ka thënë deputetja

Deputetja po ashtu ka kritikuar LVV-në dhe LDK-në se nuk kanë program qeverisës dhe se në muajin e parë janë marrë vetëm shkarkime bordesh.

“Ajo sallë ku thatë po shkojmë më bo programin, ndërsa ju më 6 tetor keni thënë se keni harmonizuar programin qeverisës, pra paska qenë mashtrim. Një muaj qeverisje ju nuk keni program. E na keni thënë se i kemi harmonizuar të gjithë çështjet. Krejt çka keni keni bërë që një muaj është një vrull i madh për me shkarku borde dhe me shkarku zyrtarë në MPJ”, ka deklaruar ajo.

Seanca ka filluar rreth orës 11:00.