Veseli tha se që demarkacioni të procedohet dhe të kaloj, partneri i tij i koalicionit duhet ta procedojë atë bashkë me nënshkrimet e 33 deputetëve të LDK-së në mbështetje të demarkacionit, me ç’rast Veseli tha se edhe PDK do t’i sigurojë votat e deputetëve të saj dhe seanca për demarkacionin do të mbahet para se të zhvillohet seanca e mocionit të votëbesimit për Qeverinë.
“Unë shpresoj se LDK-ja do t’i sjell 33 nënshkrime të grupit parlamentar. Në të njëjtën kohë, PDK-ja, e them si zotim tani, në momentin që LDK-ja është e gatshme me 33 nënshkrime, do t’i sjellim edhe ne 36 nënshkrimet tona dhe i kemi mundësitë të mbajmë një seancë të jashtëzakonshme e cila do të jetë para të mërkurës. Për arsye se të mërkurën është caktuar me rregullore mocioni i mosbesimit. Tani më në bazë të procedura të Kuvendit kemi një materie e cila është në rend dite”, tha Veseli.
Lideri i PDK ka sqaruar edhe bisedën e fundit telefonike me zëvendësndihmës sekretarin e shtetit në SHBA, Hoyt Brian Yee.
“Pardje kam marrë një telefonatë nga zv/ndihmësekretari i shtetit, në të cilën më është thënë që partneri im i koalicionit, përkatësisht kryeministri i Republikës së Kosovës e ka njoftuar atë se LDK-ja tashmë ështe e gatshme ta votojë demarkacionin. Ky është një lajm i mirë megjithatë për Kosovën. Demarkacioni ka interes strategjik për Kosovën liberalizimin e vizave. Të presim, por njoftim nuk kemi. Aq sa kam pasur njoftim nga opozita për mocionin e mosbesimit, aq edhe nga partneri i koalicionit. Qëndrimi i PDK-së është shumë i qartë, ne jemi në koalicion për vendimmarrje dhe ajo çka është më e rëndësishme të jemi në shërbim të interesave të qytetarëve”, ka thënë Veseli.
Këto komente Veseli i bëri gjatë një vizite në Prizren që PDK e konsideron si Jerusalem të sajin.
Duke folur për mocionin e proceduar nga opozita për votëbesimin e Qeverisë, kryetari Veseli tha se seanca për të do të mbahet të mërkurën, derisa sqaroi se para kësaj seance PDK do të mbledh organin më lartë partiak – Këshillin Drejtues ku do të diskutohet për këtë çështje.