“Kam gabuar”, Basha – kritikëve: Të bashkohemi për t’i kthyer shpresën vendit

29.04.2018 12:23:08

Miratimi i statutit të ri, i cili forcon pozitat e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, është arsyeja kryesore përse sot në Pallatin e Kongreseve mbahet Kuvendi Kombëtar i kësaj force politike.

Kundër këtij statuti janë rreshtuar shumë kritikë të Bashës, si Jozefina Topalli, Astrit Patozi e Majlinda Bregu dhe kryetari i PD kishte zgjedhur pikërisht sallën e mbushur me rreth 7000 delegatë që të shtrinte dorën e “pajtimit” ndaj tyre.

E nisi fjalën e tij duke nxjerrë në pah problemet e qeverisë së Edi Ramës dhe zhytjen e popullsisë në depresion e krizë, por mesazhin më të fortë e pati për ata që largoi nga PD me listën e kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit.

Pasi bëri “Mea Culpa”, duke pranuar gabimet dhe dështimin për të çuar PD drejt fitores, Basha u shpreh se sot i shtrin “dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribuoj dhe të bashkohet me PD” për t’i rikthyer shpresën Shqipërisë.

“Unë kam bërë gabimet e mia për të cilat kam pranuar përgjegjësinë time. Gjithçka e kam bërë e kam bërë me qëllimin për t’i shërbyer njerëzve. Jam i vetëdijshëm për gabimet e mia të diktuara nga rrethanat ku vendi ndodhej. Kam dëgjuar kritikat tuaja dhe i kam mirëkuptuar ato. Kam besimin se së bashku me ju duke mësuar nga gabimet do ta fuqizojmë partinë tonë, dhe do ta bëjmë fituese, sepse PD është shpresa për shqiptarët. Gjatë muajve të fundit ka pasur akuza dhe sulme personale. Kam zgjedhur të mos përgjigjem sepse si kryetar partie më takon mua të parit të jem më i matur. Ndaj dua sot sërish nga ky Kuvend i madh t’i shtrij dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribuojë dhe të bashkohet me ne për t’i dhënë shpresë shqiptarëve. Dora ime do të mbetet e shtrirë jo për pazare, as poza fotografike, por për të arritur suksesin”, u shpreh Basha.

Pasi përçoi mesazhin tek kritikët e tij, lideri i PD theksoi se ndodhemi në një ore kritike për vendin, pasi sipas tij “politika i ka braktisur dhe i ka zhgënjyer njerëzit” dhe “Shqipëria nuk do t’i harrojë lehtë këto vite”.

Për Bashën demokratët kanë për detyrë që në kushtet ku ndodhet vendi ta shpëtojnë atë dhe ndaj është mbledhur Kuvendi Kombëtar.

“Ajo që na bashkon sot është dashuria për vendin dhe vlerat që ndajmë për lirinë, individin, dinjitetin njerëzor, drejtësinë e vërtetë, mundësitë e barabarta për të gjithë. Na bashkon shqetësimi i thellë për krizën kombëtare, depresionin e thellë shoqëror dhe udhëkryqin ku ndodhet vendi. Mblidhemi kundër një qeverie që ka plaçkitur qytetarin për të favorizuar oligarkun, ka futur kriminelët në zyrat e shteti, ka mbushur vendin me drogë”, u shpreh Basha.

Në vijim theksoi se në PD duhet të gjejnë guximin të pranohet se nuk ia dolën të ndalin Edi Ramën dhe të ishin shpresë për qeverisjen e vendit.

“Nuk ia dolëm për t’i dhënë njerëzve zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk ia dolëm të çonim trafikantët e drogës dhe bosët e tyre politikë pas hekurave. Por sot, le të buçasë në mbarë Shqipërinë: “Kurrë më”!”, deklaroi Basha.

“Jemi bashkë me mijëra demokratë për të nisur një tjetër rrugëtkm për Shqipërinë Europiane”, theksoi kryedemokrati.

Sipas tij, “sot e gjithë Shqipëria pret nga Partia Demokratike”.

“Është një pritje e thellë në kufijtë e dëshpërimit, sepse këto nuk janë kohë të mira për Shqipërinë. Kam parë dëshpërimin e nënave, frikën e rinisë për të ardhmen, shqiptarët të braktisur e të vetëm. I kam parë shqiptarët të rropaten për të mbajtur frymën gjallë. Kam parë mosbesimin e tyre ndaj politikës. Propaganda i ka bërë të besojnë të pavërtetat për ne. Njerëzit kërkojnë nga ne përgjigje. Pse duhet të na ndjekin dhe mbështesim”, konstatoi Basha.